Sunday, January 11, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREEdi Martini: Me Partizanin dua fitore edhe me lojë të keqe

Edi Martini: Me Partizanin dua fitore edhe me lojë të keqe

Trajneri i Teutës, Edi Martini ka folur përpara ndeshjes që durrsakët do të luajnë në transfertë me Partizanin. Nesër në 16:45, të dyja skuadrat do kërkojnë maksimumin në “Elbasan Arena”.

“Ngërç në rezultate? Normal është një situatë që ka një lloj ngërçi. Më vjen keq që kemi dalë barazim, për mënyrën se si kemi luajtur. Nuk duhet të kishim marrë këto barazime, pasi kemi luajtur më mirë se kundërshtarët. Gjithsesi janë katër ndeshje që duhen lënë pas dhe të mendojmë për ndeshjen me Partizanin.

Formacioni? Kur vijnë lojtarë të rinj në ekip gjithçka duhet parë me shumë kujdes. Kemi disa lloje formacionesh, pasi kemi mjaftueshëm lojtarë për të bërë prova të ndryshme. Normalisht të gjithë lojtarët që kanë luajtur deri më tani e kanë merituar, nuk janë të panjohur dhe kanë vlera. Do bëjmë më të mirën çdo javë, luan ai që është më në formë dhe nuk ka ndonjë problem.

Kthesa e madhe me Partizanin? Futemi në çdo ndeshje për të fituar. E dimë që Partizani ka një ekip të mirë, megjithatë ne jemi të qartë dhe e dimë mirë për çfarë hyjmë në fushë. Duam të fitojmë çdo ndeshje, e dimë që është një ndeshje e vështirë, kundër një kundërshtari të fortë. Gjithsesi fusha do ta tregojë.

Ndeshjet jo pozitive? Ne na ka munguar rezultati, jo loja. E rëndësishme është të fitohen pikët. Do preferoja të mos luanim aq mirë, të jemi pragmatistë dhe të marrim tre pikët. Ato vlejnë për momentin. Normalisht jam i kënaqur për lojën që ka zhvilluar ekipi, por jo me pikët që kemi marrë. Nesër do të bëjmë gjithçka që të fitojmë.

Diferencat mes ekipeve janë shumë të vogla, si të luash kundër Partizanit, Vllaznisë, Kastriotit apo Skënderbeut. Për mua ndeshjet janë të përafërta. Është thjesht çështje mentaliteti, çështje emrash, kjo që diskutohet. Në fushë janë të gjitha të barabarta, diferenca është shumë e vogël. Si në çdo ndeshje tjetër do futemi për të fituar.

Presion te skuadra dhe ju? Presioni në futboll është në çdo moment, edhe kur luan për titull, edhe për Europë, edhe për mbijetesë. Ka tre lloje presionesh që ndikojnë në skuadër. Megjithatë ne kemi një skuadër mjaft të pjekur, me eksperiencë. Lojtarët dhe ne të gjithë jemi këtu për të treguar se e mundim presionin.

Unë jam mjaft i qetë, nuk e them për fjalë, por për mënyrën se si kanë luajtur çunat. Na ka munguar goli, fati, na kanë penalizuar edhe arbitrat. Jam i bindur që po bëjmë një punë të mirë, po japim maksimumin. Në javët në vazhdim do të vijnë edhe rezultatet dhe jam krejt i qetë”, tha Martini./newsport/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments