Edi Martini rikthehet si trajner i Teutës, ndërsa Renato Arapi në rolin e drejtorit sportiv. Ndryshimi i papritur te kampionët ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, teksa “Panorama Sport” ka publikuar ekskluzivisht në faqen e saj zyrtare, “PanoramaSport.al”, vendimin e presidentit Edmond Hasanbelliu.
Martini dha dorëheqjen më 26 nëntor pas humbjes me Partizanin, por tashmë bën prapakthehu për të vijuar në krye të skuadrës ku fitoi titullin kampion, Kupën e Shqipërisë dhe dy herë Superkupën. Vetë 46- vjeçari shkodran, në intervistën ekskluzive për gazetën, tregoi arsyen pse vendosi të kthehej pas 17 ditësh në Durrës. Ai flet edhe për objektivat që ka në vazhdimësinë e sezonit me Teutën, ndërsa ka vetëm komplimente për Renato Arapin.
Martini, sërish te Teuta. Kur e morët vendimin që të riktheheni në Durrës pas vetëm dy javësh larg Teutës?
Dje kam pasur një takim në Durrës me presidentin Hasanbelliu. Më ka thirrur për të zhvilluar një bisedë dhe nuk e kam pasur idenë se do të më kërkonte për t’u rikthyer si trajner i Teutës. Lidhjet e mia me presidentin janë përtej sportit, sepse kam 25 vite që njihem me të. Edhe kur nuk kam qenë trajner në Durrës, kam kaluar shumë kohë me të. Është, si të themi, përtej mikut për mua.
Çfarë ju bindi që të pranoni drejtimin e ekipit kur keni shumë pak ditë që dhatë dorëheqjen?
E thjeshtë, sepse nuk mund t’ia prishja presidentit.
Tani që do të merrni drejtimin, çfarë plani keni?
Kismet Zotit. Të bëjmë punën që kemi bërë gjithmonë, me pasion, me ambicie dhe dëshirë. Të shohim pastaj nga ndeshja në ndeshje. E rëndësishme është që duhet të kapim formën që kemi pasur në sezonin e kaluar.