Edi Martini, trajneri i skuadrës së Teutës, në prag të ndeshjes së radhës me Laçin është optimist dhe ka besim se skuadra do ta nisë mbarë garën. Në prononcim e dhënë para ndeshjes për “Rtshsport”.

Martini që ka drejtuar edhe kurbinasit, e madje ka qenë trajneri që i ka rikthyer në elitë për herë të fundit ka pohuar: “Kemi bërë një fazë përgatitore mjaft impulsive. Kemi punuar me dy seanca. Ekipi gëzon formë të mirë, me përjashtim të Arapit.

Ngarkesat kanë qenë të mëdha, por kemi ditë që kemi ulur ngarkesën. Mendoj për ndeshjen e parë. jam i kënaqur me paraqitjen që kanë bërë djemtë dhe tashmë mendojmë dhe jemi të përqendruar vetëm te pjesa e dytë e garës. Do përforcojmë sulmin e mbrojtjen,” – tha Edi Martini fillimisht.

Laçi

Për ndeshjen e radhës me Laçin, Martini shtoi se: “Çdo ndeshje është e vështirë, por Laçi është një ekip mjaft i mirë, me kundërsulm shumë të mirë, të shpejte dhe futbollistë me eksperiencë.

Kemi marrë masat e duhura. Jemi shok me Cungun, por duhet të bëjmë punën ku jemi. Sido që të shkoj ndeshja, mbetemi shokë. Vërtetë Teuta ka pasur probleme me Laçin në takimet e fundit, por këtë herë nuk ndodh”.

Sulmi

Teuta ka vuajtur në sulm dhe sipas Martinit: “Merkato nuk është mbyllur akoma, madje do të ketë prurje të tjera deri në 31 janar edhe pse merkato duket mjaft e vështirë. Duke parë rivalët tanë që investojnë goxha këtë sezon, neve nuk na ka munguar ana financiare, por është e vështirë të gjesh në këtë periudhë lojtarë që bëjnë diferencën.

Në dy ndeshjet, me Partizanin dhe Flamurtarin kemi dal shumë herë para portës, ashtu si edhe kemi shënuar gola. Duhet të jemi si ekip ofensiv, pak rëndësi ka kush shënon golin”.

Objektivi

“Parimisht me drejtuesit kam rënë dakord që të kapim Europën. Gjithsesi, Partizani, Tirana, Kukësi e Laçi janë ekipe që e kërkojnë një gjë të tillë. Duke mos përjashtur edhe Skënderbeun, ashtu edhe Bylisin që është i dyti.

Janë katër ndeshje brenda, por presionin kemi neve sepse na duhet rezultati patjetër. Nuk duhet që të mendojmë sot për një muaj më pas, të fitojmë me Laçin, pastaj për takimet sipas radhës”, – tha Edi Martini në fund të prononcimit të tij./Vipsport/