Teuta ka fituar 0-2 me Apoloninë në Fier. Të besuarit e Martinit nuk e kanë vendosur asnjëherë në dilemë këtë duel, teksa kanë shënuar nga një gol në secilën pjesë. Do duhej minuta e 20 që Djemtë e Detit të kalonin në avantazh me Lorenco Vilën. Pjesa e parë është mbyllur në këto shifra, teksa në të dytën vendasit hodhën në fushë Gjatën.

Sapo nisi fraksioni I dytë, Krasniqi ka tundur traun e portës te Teuta, ndërsa do duhej Dejvi Bregu në të 55 që të vuloste sfidën. Deri në fundin e takimit, Teuta kërkoi edhe golin e tretë por pa ia dalë.

Me këtë fitore, Teuta shkon në kuotën e 49 pikëve pas 27 javësh, dy më shumë se Vllaznia ndjekëse që barazoi në Laç. Ndeshja e radhës për Teutën do jetë në transfertë me Skënderbeun, ndërsa më herët do presë korçarët në Durrës për sfidën gjysmëfinale të Kupës në mesjavë.

Pas ndeshjes, për Gol pas goli trajneri i Teutës, Edi Martini tha:

“E kishit menduar të lehtë? Është meritë e jona më tepër sesa loja e keqe e Apolonisë. Duke parë pjesën e parë të tyre me Tiranën, ishim të shqetësuar. Ato që bëmë në fushë, treguam se nuk e vendosëm asnjëherë në vështirësi. Kemi në mesjavë ndeshjen e Kupës dhe ky rezultat më kënaq.

Rivalët? Unë nuk shoh ekipet që vijnë pas. Kam ekipin tim dhe nuk më intereson ç’bëhet pas shpinës sime.

Puna që bëjmë në stërvitje është e rëndësishme, kemi qetësi edhe kur luajmë keq ose humbasim topa. Entuziasmi dhe autoriteti sot, bënë që ky grup fitues të marrë komplimeta.

3 pikë në kampionat apo Kupën me Skënderbeun? Duam t’I fitojmë të dyja, jemi në garë për titull dhe me këtë ide jemi futur në formacion. I duam të dyja ndeshjet, pavarësisht se e dimë se janë të forta. Kam 20 lojtarë gati.

Partizani, Laçi apo Vllaznia rivalë për titullin? Janë të mira, të jemi të kujdeshëm dhe mos kalojmë në eufori. Në Shkodër mallkojmë “të hyftë vetja në qejf”. Djemtë kanë një karakter për t’u admiruar dhe vënë diktatin në fushë”, tha Martini.