Kombëtarja shqiptare e futbollit luan dy teste miqësore në mars, kundër Spanjës dhe Gjeorgjisë. Nisur nga precedentët e mëparshëm, Edi Reja duket se do afrojë lojtarë të rinj për ndeshjet e radhës. Një ndër emrat që bëri kapërcimin e madh dhe u largua nga Superliga është Regi Lushkja.

Mesfushori 25 vjeçar la Laçin për të kaluar në Moldavi me Sheriff Tiraspol, skuadrën që në shkurt do luajë në Europë. Mjafton të kujtojmë se disa nga ish-lojtarët e Superligës kanë marrë ftesë nga Kombëtarja sapo kanë lënë Shqipërinë.

Cilësitë e Lushkjas dihen, me trajnerin Reja që mund të surprizojë me zgjedhet. Precedentët më të freskët janë me Dokën dhe Kallakun, teksa nuk përjashtohen emra të rinj për kuqezinjtë. 25 vjeçari kavajas ka kaluar të gjitha shkallët në ekipet e moshave, duke qenë pjesë edhe e Shpresave, ndërsa në dy sezonet e fundit ka qenë ndër lojtarët më të mirë të Superligës.