Mesfushori Edon Hasani është një emër shumë i njohur në futbollin shqiptar. Në 13 vite karrierë, shkodrani ka luajtur për shumë skuadra. Rrugëtimi i tij nisi te grupmoshat e Vllaznisë, për të bërë më pas kapërcimin tek ekipi A, në vitin 2007. Pas pesë sezonesh të mira, Hasani u transferua tek Liteksi në Bullgari.

Më pas provoi dy aventura në Rumani, me klube si Celhaul dhe Poli Timishoara, për t’u rikthyer në Superiore, kësaj radhe te Kukësi. Me verilindorët luajti tri vite, për t’u rikthyer më pas tek ekipi i tij i zemrës, Vllaznia. Vetëm gjashtë muaj qëndroi në Shkodër, pasi në janar të 2017-ës firmosi për ekipin iranian të Sepahanit.

Pas një sezoni e gjysmë në Iran, u rikthye në Shqipëri me Tiranën në verën e vitit 2018. Me bardheblutë luajti 2 sezone, duke fituar edhe titullin kampion, ndërsa nga vera e vitit 2020, bëri një kalim të bujshëm në Turqi te Ankaraguçu. Por, fantazisti ishte i pafat, pasi pësoi një dëmtim të rëndë dhe bëri operacion në gju.

Pas disa muajve pa futboll, tashmë Hasani do të jetë pjesë e Partizanit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai falënderoi drejtuesit e Partizanit, si dhe konfirmoi se ka arritur një marrëveshje me klubin e kuq. “Kam folur me drejtuesit e Partizanit. Unë vij nga dëmtimi, më duhet edhe një muaj kohë për t’u rikuperuar. Bëhet fjalë për t’u angazhuar dhe për të marrë edhe formën fizike”.

Edon, a do të luani për Partizanin në gjysmën e mbetur të sezonit?

Kemi bërë një marrëveshje dhe kemi rënë dakord me mirëkuptim. Do të bëj stërvitje me Partizanin, do të marr provën. Siç e tha dhe profesori (Daja), ata janë treguar humanë. Do të stërvitem, pastaj nëse i shërbej ekipit, normalisht që do jap maksimumin.


Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje në klubin e ri?

Nuk ma kishte marrë mendja që drejtuesit e Partizanit të më ndihmonin, ua di shumë për nder. Nuk e prisja, pasi të them të drejtën, unë nuk kam kontribuuar ndonjëherë për Partizanin. Kemi arritur marrëveshje me mirëkuptim, i falënderoj shumë drejtuesit që më japin mundësinë të stërvitem dhe të kap formën time më të mirë.

Si po ecën rikuperimi juaj dhe kur mund të jeni gati?

Në fillim, ka qenë një periudhë shumë stresuese, pasi u operova dhe isha jashtë fushave. Vetëm stërvitesha për forcë, bëja të njëjtat ushtrime dy herë në ditë. Kam qenë i pafat, por tani jam shumë më mirë. Po rikuperohem me kalimin e kohës, kam filluar me pasime me topin, me xhonglime. Gjithsesi, është disi e rrezikshme të futem para kohe, dua të pres momentin e duhur. Besoj do të më duhet edhe një muaj kohë.