Egnatia bëhet gati për të bërë një tjetër goditje të madhe në merkaton e verës. Sipas “Panorama Sport” klubi rrogozhinas është në bisedime të avancuara me sulmuesin nga Guinea-Bisau, Toni Gomes.

Lojtari 24-vjeçar është prodhim i klubit gjigant anglez, Liverpul, teksa ka luajtur në të gjitha grupmoshat e akademisë së kuqe, e më pas me ekipin U-23. Toni Gomes ka mundur të luaj me ekipin e parë të Liverpulit vetëm në një miqësore kundër Mainzit në gushtin e vitit 2016, teksa ka qenë në fushë për 44 minuta.

Sulmuesi i krahut të majtë ka luajtur në vitet e fundit në Portugali, Egjipt dhe Turqi, ndërsa në sezonin 2022- 2023 ka qenë pjesë e Zirës në kampionatin azerbajxhanas.

Drejtuesit e Egnatias kanë negociuar me Gomesin përmes agjentit shqiptar të FIFA-s, Serxhio Mezi. Gjasat janë që në ditët në vijim palët të konkretizojnë marrëveshjen dhe sulmuesi afrikan t’i bashkohet menjëherë skuadrës në fazën përgatitore.