Është Egnatia-Vllaznia, sfida që ul siparin e javës së 8-të në Abissnet Superiore. Një përballje ku etiketat e së kaluarës nuk vlejnë, luajnë nënkampionët e sezonit të shkuar përballë skuadrës që u ngjit këtë edicion në elitë, por ndërkohë në tabelën e klasifikimit kanë kuotë të njëjtë pikësh (9) dhe për më tepër ecuria në ndeshjet e fundit anon nga formacioni rrogozhinas.

Egnatia vjen e forte, pasi ka ndalur Partizanin, ndërsa në Kupë fundosi 3-1 Kukësin, rezultate që jo vetëm shpërblejnë punën e bërë nga Magani dhe djemtë e tij, por njëkohësisht rrisin vetëbesimin për të kërkuar fitoren edhe në këtë sfidë, përballë një Vllaznie ku ujërat kanë nisur të trazohen dhe nevojitet një reagim për të mos kompromentuar më tej situatën.

Humbjet identike (2-0) me Kukësin dhe Tiranën kanë rënduar atmosferën në Shkodër, një qytet ku lidhja e veçantë me futbollin amplifikon si euforinë e një fitoreje e aq më tepër pakënaqësinë e humbjeve.

Shkodranët duket se i harxhuan të gjithë golat përballë Dinamos dhe në kampionat nuk shënojnë prej 180 minutash, me Brdaric që i duhet të rigjejë dellin krijues të një organike ku kualiteti nuk mungon, teksa në ndeshjen e fundit të Kupës shënoi dhe Ardit Hoxhaj, një element që rrit alternativat për teknikun në vijën e parë.

Egnatia, ndërkohë, ka krijuar tanimë një fytyrë simpatike, dhe ka në skuadër një ndër sulmuesit më në formë për momentin, Pedro Auguston, me 4 gola në kampionat dhe dy në ndeshjen e fundit të Kupës, është “armiku” publik për një mbrojtje shkodrane që ka nisur të lëkundet.