Nëse ka një skuadër në Superligë që e ka mbyllur vitin në mënyrën më të mirë të mundshme, ajo është Laçi. Kurbinasit kanë marrë 5 fitore në 5 ndeshjet e fundit në kampionat. Bardhezinjtë i kanë bërë një mbyllje fantastike këtij viti, ku tashmë ambiciet tejkalojnë përtej kualifikimit në kupat e Europës.
Sukseset rradhazi ndaj kundërshtarëve si Dinamo, Kukësi, Tirana, Egnatia apo edhe Kastrioti kanë bërë që skuadra e drejtuar nga Mirel Josa të jetë një kundërshtar i frikshëm. Ndoshta të gjithë e mënjanuan disi ekipin kurbinas pas atij starti katastrofik të edicionit, por rikuperimi i javëve të fundit ka qenë me të vërtetë i frikshëm.
Jo vetëm fitoret, por edhe krijimi i një stabiliteti në mbrojtje ku bardhezinjtë kanë pësuar vetëm 1 gol në 5 ndeshjet e fundit. Ky gol i pësuar në fitoren 1-2 kundër Kukësit. Dora e Mirel Josës vërehet qartë tek ekipi që tashmë po tregon karaktetin e tij të zakonshëm dhe që tashmë kanë pretendime edhe më të mëdha.
Tek laçianët nuk e thonë me zë të lartë që duan titullin kampion. Por të jesh vetëm 6 pikë larg kreut që mbahet nga Tirana, patjetër që një mendje do e kesh edhe tek titulli kampion. Epo nuk i dihet ndoshta atje në Laç për festat e fundvitit do kërkojnë nga Babagjyshi si dhuratë titullin kampion të vendit.
Endri ÇINARI