Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Merkatoja e janarit pritet të jetë vendimtare te Vllaznia, ku drejtuesit shkodranë janë të vendosur të hyjnë “all-in” për afrime cilësore, me një objektiv të qartë: forcimin e skuadrës për të qenë konkurruese deri në fund dhe për të synuar maksimalisht titullin kampion.
Gazeta “Shkodra Sport” mëson se pak ditë më parë, drejtuesit e Vllaznisë kanë hedhur një hap konkret për sulmuesin Redon Xhixha. Shkodranët i kanë paraqitur një ofertë të rëndësishme 27-vjeçarit, i cili megjithatë nuk është ende i gatshëm për t’u rikthyer në futbollin shqiptar, duke e lënë momentalisht pezull këtë pistë.
Xhixha aktualisht është pjesë e Belouizdad në kampionatin algjerian, ku ka regjistruar vetëm 5 paraqitje dhe ende nuk ka arritur të shënojë. Sulmuesi laçjan aktivizohet në të njëjtin ekip me mesfushorin Endri Çekiçi.
Sipas burimeve të “Shkodra Sport” pranë klubit, përpjekjet e Vllaznisë nuk janë kufizuar vetëm te oferta zyrtare. Trajneri Edi Martini ka kontaktuar personalisht Redon Xhixhën nëpërmjet telefonit, duke i prezantuar projektin sportiv të Vllaznisë dhe rolin kyç që ai do të kishte në repartin ofensiv.
Megjithatë, për momentin sulmuesi duket i fokusuar te aventura e tij jashtë vendit, duke shtyrë çdo vendim për një rikthim të mundshëm në Superiore. Vllaznia mbetet aktive në merkato dhe pritet që në ditët në vijim të ketë zhvillime të reja, teksa emri i Xhixhës konfirmon ambiciet e larta të kuqebluve në këtë janar.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


