Futbollistët shkodranë i kemi të shpërndarë në mbarë Europen e ndoshta edhe mbarë botën. Një ndër ta është edhe Erald Çinari, ish-sulmuesi i Vllaznisë dhe Partizanit që këtë verë u transferua në Turqi tek skuadra e Samsunspor. Në një prononcim për “Shkodra Sport”, Çinari flet për aventurën e re, 10-vjetorin e kësaj gazete apo edhe për duelin e shumëpritur të së dielës, Partizani-Vllaznia.
AVENTURA E RE NË TURQI: Prej korrikut tashmë jam pjesë e skuadrës së Samsunspor. Një nga skuadrat me histori të futbollit turk dhe me një nga tifozeritë më të zjarrta. Jam ndjerë shumë i mirëpritur pasi ky ekip ka pasur një interes të madh për mua që sezonin e kaluar, por që u konkretizua këtë vit. Po përshtatem pak nga pak me futbollin turk dhe uroj që të shfaq formën time më të mirë në javët në vijim.
10-VJETORI I SHKODRA SPORT: Kam realisht një vlerësim të madh për këtë portal. Mund të them se në shkrimet e kësaj gazete u bënë edhe artikujt e parë për mua kur luaja me moshat e Vllaznisë, duke filluar nga u-15 e deri ku arrita ekipin e parë, apo edhe deri më sot. I uroj plot suksese në vazhdim dhe të vijojë me punën e mirë të këtyre viteve.
DUELI PARTIZANI vs VLLAZNIA: Nëse ka ndeshje që më emocionon dhe do më emocionojë në Superligë është pikërisht kjo. Tek Vllaznia, ekipi i zemrës arrita të bëja debutimin tim si profesionist vetëm 17 vjeç, shënova golin e parë profesionist pikërisht kundër Partizanit, por edhe përjetuam një sezon të errët ku u rrëzuam nga Superliga.
Nga ana tjetër, Partizani. Një ekip dhe drejtues që do ju jem gjithmonë mirënjohës. Më afruan në ekip 21-vjeç. Fitova titullin me ta që në sezonin e parë si edhe pata kënaqësinë të luaja në Europë. Ishin vite me të vërtetë të paharrueshme ku arrita pjekurinë time si futbollist si edhe transferimin jashtë vendit.
PARASHIKIMI: Besoj dhe mendoj se do jetë një ndeshje shumë e luftuar. Unë kam miq në të skuadrat aë janë futbollistë shumë cilësor. Ai ekip që do kërkojë më tepër fitoren do e marrë atë. Do jetë një duel i bukur për tu parë./SHKODRA-SPORT.COM/