Largimi i Orges Shehit nga drejtimi i Ballkanit pak javë, ka bërë që pozitat e futbollistit shkodran Geralb Smajli tek kjo skuadër të lëkunden. Si rrjedhojë, nuk përjashtohet mundësia që ai të rikthehet sërish në Superligën shqiptare, por jo tek Vllaznia.
Burime të gazetës “Shkodra Sport” bëjnë të ditur se mbrojtësi i djathtë është kontaktuar nga drejtuesit e Elbasanit dhe mes palëve ka patur edhe një bisedë, por ende nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë.
Me shumë siguri gjatë merkatos së janarit do të ketë zhvillime në lidhje me këtë lojtar i cili nga një pjesë e rëndësishme e formacionit të Ballkanit, në ndeshjet e fundit ose nuk është grumbulluar fare ose ka qenë në stolin e rezervave.
Nuk është ende e qartë nëse ka qenë lojtari i cili ka kërkuar të lëvizë nga skuadra kosovare, apo diçka tjetër. Ajo që konfirmohet është se pas pak ditësh mund të kemi zhvillime në lidhje me Geralb Smajli.
Kujtojmë që futbollisti shkodran u largua nga Vllaznia në korrikun e vitit të kaluar pas përfundimit të kontratës dhe u bashkua me Ballkanin, ku në sezonin e parë ka qenë një titullar i padiskutueshëm, ndërkohë që e nisi në të njëjtën mënyrë edhe sezonin e ri, por deri në ndeshjet e fundit ku gjërat ndryshuan.


