✍️ Shkruar nga Maringlen ZHIVANI

Ish-mbrojtësi i njohur i Vllaznisë, Dritan Smajli, ka reaguar ndaj deklaratave të trajnerit të Partizanit, Oltijon Kërnaja, në lidhje me klubin shkodran. Smajli, në një intervistë ekskluzive për “Shkodra Sport” shprehet i zhgënjyer nga mënyra si është folur për Vllazninë, duke theksuar se një trajner i ri në detyrë duhet të jetë më i kujdesshëm në prononcimet publike.

“Kam pasur fatin e madh të luaj pesë vite me Vllazninë, në qytetin ku ka lindur futbolli shqiptar. Shkodra ka furnizuar gjithë vendin dhe sot edhe Europën me futbollistë cilësorë. Është vendi i futbollit, i artit dhe kulturës. Prandaj nuk mund të rrija pa reaguar,” shprehet Smajli.

Ai i kujton trajnerit të Partizanit, Kërrnaja se vlerat e Vllaznisë janë të njohura në mbarë futbollin shqiptar dhe se nuk është ai që mund të gjykojë historinë dhe madhështinë e klubit shkodran. Smajli sugjeron që Kërnaja të rishikojë deklaratën e dhënë, duke shtuar se ajo mund të ketë qenë emocionale.

“Shpresoj të dalësh edhe një herë në intervistë dhe të kërkosh ndjesë. Pyet legjendat e Partizanit, nga Perlat Musta e shumë të tjerë se kush është Vllaznia,” shkruan ish-futbollisti i kuqebluve, Dritan Smajli.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”