Nga Maringlen ZHIVANI
Dritan Smajli është shumë pranë marrjes së drejtimit të Kukësit. Nga burime të “Shkodra Sport” mësohet se, kontaket mes palëve kanë avancuar ndjeshëm dhe tashmë bisedimet ndodhen në fazën përfundimtare.
Burime pranë klubit bëjnë me dije për “Shkodra Sport” se ekziston vullnet i plotë nga të dyja palët për të finalizuar bashkëpunimin, ndërsa detajet e fundit janë në proces diskutimi.
Me shumë gjasë, marrëveshja mund të mbyllet brenda ditës së sotme, çka do t’i hapte rrugë edhe zyrtarizimit të Smajlit në krye të pankinës së Kukësit.
Nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve, klubi verilindor pritet të prezantojë së shpejti trajnerin e ri, duke nisur kështu një kapitull të ri në projektin sportiv për vazhdimësinë e sezonit.


