Nga Endri ÇINARI
Po shkëlqen me fanellën e kombëtares shqiptare duke qenë zbulimi i këtij sezoni. Fjala është për Mario Mitajn, djaloshin me origjinë nga Vermoshi. I cili është rritur dhe formuar futbollistikisht në Greqi. E tashmë pjesë e Lokomotivës së Moskës, mëngjërashi ka folur për “Shkodra Sport”, duke theksuar se tashmë është pranë realizimit të një ëndërre dhe se kurrë nuk kishte dyshime se cilën kombëtare do zgjidhte.
Mitaj tha: “Kanë qenë ditë goxha emocionuese dhe shumë festive. Duhet ta mbajmë poshtë euforinë pasi ende na duhet matematika për të na dërguar në Gjermani. Megjithatë ne nuk mund ta fshehim se jemi aq afër dhe që i kemi merituar plotësisht këto fitore që kemi arritur.
Për mua është një ëndërr që po bëhet realitet që ndoshta para 1 viti as nuk e mendoja. Sot jam pjesë e kombëtares dhe jam shumë krenar me veten dhe ekipin. E gjithashtu uroj të kem plotësuar edhe pritshmëritë e njerëzve që më besuan.
Dedikim ? Unë gjithmonë them që ia dedikoj familjes gjithçka. Ata kanë sakrifikuar për mua në çdo moment. Por patjetër falenderoj edhe trajnerin Sylvinho, që më besoi dhe më dha një kurajo të jashtëzakonshme.
Shqipëria apo Greqia ? Nuk kam pasur kurrë dyshime se kë do përfaqësoja. Unë jam shqiptar pavarësisht se ku jam rritur e nuk mund ta harroj origjinën. Do e prisja në pafundësi ftesën e kombëtares shqiptare dhe falë Zotit ajo ka ardhur. Dhe kjo është një pjesë e rëndësishme e karrierës sime deri më tani.”