Vllaznia do jetë nesër në orën 16:45 përballë Teutes në javën e 11-të të Superligës. Takimi do zhvillohet në “Elbasan Arena” dhe pritet të dhurojë një ndeshje shumë të fortë mes dy skuadrave.
Në një prononcim për “Shkodra Sport” rreth këtij takimi ka folur edhe Denis Pjeshka. Mbrojtësi ka luajtur me të dy ekipet në të shkuarën dhe tashmë është pjesë e Flamurtarit.
Pjeshka tha: “Besoj se do jetë një ndeshje shumë e luftuar mes të dy ekipeve. Vllaznia do kërkojë të vijojë në formën e mirë të javëve të fundit dhe të shfrytëzojë momentin e mirë. Te Vllaznia jam formuar si futbollist dhe patjetër që është klubi i zemrës sime dhe dua që ata të jenë sa më lart në renditje.
Teuta nga ana e saj ka pasur edhe ndryshime në stol dhe kjo mund të ndikojë si pozitivisht ashtu edhe negativisht. Por duke qenë se në krye është Arapi, një që e njeh ambietin kjo nuk ndryshon shumë. Teuta ka disa ndryshime nga sezoni i shkuar ku u shpallëm kampion dhe unë isha pjesë e atij ekipi ku ruaj kujtime shumë të bukura.
Parashikimi ? Nuk mund të them saktësisht se çfarë do ndodhë, por besoj se fiton Vllaznia 1-0 dhe do shënojë Hakaj që po bën një super sezon.
Flamurtari ? E kam thënë shpesh që do kthehet aty ku i takon. Patjetër vetëm fitorja mbetet objektiv në çdo ndeshje dhe të sigurojmë ngjitjen sa më shpejt të jetë e mundur”, përfundoi 25-vjeçari.
Endri ÇINARI