Mehdi Çoba ishte protagonisti i një fitoreje shumë emocionuese mbrëmë kundër Kukësit për Vllazninë. Sulmuesi shkodran realizoi golin e fitores në minutën e fundit të takimit për të vulosur shifrat 2-1. Rezultat që e nxjerr Vllazninë në vendin e tretë të renditjes.
Për “Shkodra Sport”, Çoba shpreh emocionet e golit, por edhe sqaron tifozët për festën që ndoshta nga gëzimi i tepërt harroi që ta ndante me ta.
Çoba tha: “Ishte një gol që ishte shumë i rëndësishëm për skuadrën sepse jo vetëm që morëm 3 pikë, por edhe tani jemi në vendin e 3-të të renditjes dhe gjithashtu kaluam disi atë ngërç psikologjik. Jam shumë i lumtur dhe ende i emocionuar në aspektin personal. Të shënosh dhe sidomos në minutën e fundit është diçka me të vërtetë e veçantë.
Ishte goli im i parë në këtë edicion, por uroj të mos jetë i fundit pasi dua të shënoj të tjerë e të ndihmoj skuadrën.
Festa e golit ? Ndoshta jam keqkuptuar me tifozët. Nuk ka asnjë lloj problemi me ta, ata janë të mrekullueshëm. Na kanë mbështetur kudo, në çdo qytet. Por nga gëzimi i madh, nuk dija as ku isha dhe thjesht vrapova në një cep të fushës për të shpërthyer gëzimin tim.
Nuk kam dashur të fyej apo të mos respektoj askënd. Premtoj që golin e rradhës do ia dedikoj tifozëve dhe patjetër që do e ndaj festën me ta”.
Endri ÇINARI