Tek Vllaznia e basketbollit të meshkujve, puna nuk ndalet për asnjë moment. Pas largimit të ish-presidentit Alban Xhaferi, kanë qenë drejtuesit e shoqatës së basketbollit që kanë marrë “frenat” e skuadrës në dorë.

Siç dihet, tashmë ekipi është me një trajner provizor në krye, siç është Bledar Gjeçaj, pas largimit të malazezit Milatoviç. Për këtë arsye, puna për sezonin e ri, për drejtuesit e shoqatës së basketbollit duket se ka nisur nga kjo pikë, gjetja e trajnerit të ri.

Nga sa mësohet nga burime të “Shkodra Sport”, trajneri i ardhshëm do të jetë kosovar. Faktikisht, nga Kosova po studiohet me shumë kujdes më shumë se një kandidaturë dhe në ditët në vijim do të ketë edhe një emër. Saktësisht, trajneri i ri i Vllaznisë pritet të prezantohet ditën e hënë para ekipit.

Për shkak të situatës së krijuar, ku dorëheqja e presidentit Alban Xhaferi e la Vllazninë e basketbollit për meshkuj në një situatë tejet të vështirë ekonomike, aktualisht ekipin e kanë marrë drejtuesit e shoqatës së basketbollit në Shkodër, të cilët janë afruar për ta ndihmuar këtë skuadër.
Maringlen Zhivani