Superliga tashmë hy në javën e tretë të saj të aktivitetit. Edhe ky raund paraqesë duele shumë interesante ku spikat ai mes Partizanit dhe Vllaznisë. Për këtë ndeshje, por edhe për Superligën nga Gjermani për “Shkodra Sport”, ka folur Skerdi Bejzade. Ish-sulmuesi i njohur i kuqebluve dhe i “demave” jep mendimet e tij për këtë start kampionati dhe për duelin e shumë pritur.
– Si e shikon Bejzade Superligën këtë sezon?
Superligën e shoh shumë më të fortë se sezonin e kaluar. Ka ekipe që kanë bërë një merkato shumë të fortë. Besoj se do jetë më e rivalizuar se vitin e kaluar dhe më cilësore.
– Vllaznia në veçanti si ju duket?
Sa për Vllazninë ka marrë shumë lojtarë në merkato dhe akoma nuk më duket e konsiliduar si ekip me aq sa kam parë. Fitoi ndeshjen e parë në Laç me 5 gola të shënuar, por edhe duke pësuar 3. Po ashtu me Teuten pësoi gol me 1 lojtar më tepër në fushë. Këtë sezon i shoh me probleme në mbrojtje, por në momentin që do kenë 0 gola të pësuar besoj do jenë në rrugën e mbarë.
– Dueli i fundjavës vjen mes Partizanit dhe Vllaznisë. Ju keni luajtur me të dy ekipet ku keni lënë gjurmë. Si e mendoni këtë takim?
Ndeshja me Partizanin do jetë e vështirë sepse kryeqytetasit do kërkojnë maksimumin. Plus duke parë që Vllaznia në një mënyrë ia hoqi titullin nga duart Partizanin sezonin e kaluar do jenë të karikuar shumë. Partizanin për momentin nuk e shoh si një skuadër solide ose të them më mirë lojtarët nuk po japin atë që kërkon stafi nga ta.
Sa kam informacion lojtarët i zgjedh stafi nga videot e të dhënat e tyre (statistikat) e pastaj kalojnë në syrin e trajnerit nëse vlejnë apo jo. Deri më tani Partizani nuk po tregon fytyrën e vet.
Parashikimi juaj?
Do jetë një ndeshje e bukur ku mendoj se ekipi që shënon i pari do fitojë.
Intervistoi: Endri ÇINARI