Ka qenë i detyruar që për më shumë se një vit të jetë larg Shkodrës e Shqipërisë, megjithatë Vioresin Sinani mendjen dhe zemrën i ka patur tek Vllaznia. Golashënuesi më i mirë në historinë e klubit kuqeblu por edhe i kampionatit shqiptar, flet me superlativa për ecurinë e skuadrës në sezonin që sapo u mbyll.
Në një intervistë ekskluzive për “Shkodra Sport” bomberi i njohur analizon gjithçka ka ndodhur dhe i jep meritat gjithësecilit teksa vlerëson në maksimum sponsorin Xhaferi, por ndryshe nga shumë tifozë, vlerëson edhe sulmuesin Dilaver.
Viori tashmë është në Shkodër dhe kur e pyet se me çfarë po merret, përgjigja e tij është e thjeshtë: “Gjithë jetën jam marrë me futboll dhe do të vazhdoj të merrem sërish me futboll”. Për më shumë lexoni intervistën e dhënë për gazetën tonë:
– Viori si e keni parë Vllazninë e sezonit që sapo u mbyll?
– Vllazninë e kam parë si të gjithë tifozat shkodranë, Vllazninë më të mirë të viteve të fundit. Një sezon mbreslënës, një sezon super i mirë në të gjitha aspektet, duke pasur parasysh të gjitha vitet e kaluara me vështirësi të ndryshme dhe me rezultate jo të mira.
Është një sezon që e ka bërë Vllazninë të gëzojë gjithë Shkodrën. Më vjen keq që pandemia ka ndaluar tifozat të jenë në stadiume për të mbështetur këtë Vllazni të bukur, por kështu është e gjithë bota aktualisht. Megjithëatë do kisha dashur që stadiumi të ishte plot, me këto ndeshje të bukura që janë zhvilluar këtë sezon dhe që stadiumi duhej të ishtë i mbushur shumë më shumë.
– Ju vjen keq që ajo e humbi titullin kampion?
Vllaznia ka bërë sezon mbreslënës, duke marrë parasysh që kampionati deri në javën e fundit u nga me golavarazh dhe Vllaznia ishte pretendente kryesore per fitimin e kupës. Besoj se e pergjithshmja është mjaft e mirë. Nuk bësoj se këtu ka kritika pasi të gjithë kanë bërë maksimumin , nga i pari deri te i fundit.
– E kujt ka qenë merita e këtij sezoni mbresëlënës?
Nuk është mirë mos të përmendim të gjithë, pasi këtu kanë derdhur të gjithë djersë, por në mënyrë të vecantë do përmendja Alban Xhaferin, pasi bësoi shumë që duke marrë një ekip në një gjëndje mjaft të vështirë, pas disa viteve jo të mira dhe të bësh një ekip të tillë pretendent si për kampionatin, si për kupën dhe në fund të fitojë kupën dhe në kampionat të arrish deri në në ndeshje të fundit, besoj që është një meritë maksimale pasi që nuk është kollaj të drejtosh ekip në Shqipëri, por besoj q ky përson ka bërë maksimumin, ka kthyer entuziazmin në Shkodër për futbollin.
– Klubi ka rikonfirmuar trajnerin Brdariç në krye të skuadrës. Vendimi i duhur ky?
Më pëlqen loja që organizon Brdaric. Vllaznia është kthyer sulmuese dhe është kthyer si e dëshirojnë njerëzit. Shumë vite Vllaznia ndoshta ba bërë lojë jo sulmuese, jo si e dëshirojnë njerëzit. Atë lloj loje e dojnë të gjithë. Trajneri e ka impunuar atë lojë dhe unë përsonalisht e vlerësoj shumë.
– E quajtët sezon mbresëlënës, por në fakt Vllaznia ka çaluar disi në sulm, apo jo?
Unë e thashë edhe më përpara. është një sezon kaq i mirë dhe është gjynah të mos i vlerësojmë të gjithë, pasi të gjitë kanë dhënë maksimumin. Nuk është kollaj të gjesh sulmues të mirë, pasi shoh edhe tek skuadra të tjera mungesën a nevojën për sulmues, jo vetëm te Vllaznia.
Mendoj që i gjithë kampionati ka pasur nevojë për sulmuesa të mirë. Megjithatë, përsonalisht mua Dilaver më pëlqen, ndoshta nuk është tipi i lojtarit që bën shumë gola në sezon, por më pëlqen. Shënon golat e tij, mbron topin, e nxjerr ekipin para.
– Do ketë sukses kjo Vllazni edhe në Europë?
Ekipi është pak a shumë i konsoliduar dhe besoj në një paraqitje të mirë të tij edhe në Europë. Të paktën turin e parë mendoj se Vllaznia do ta kalojë, ndërsa më tej janë shumë gjëra që vendosin. Ekipi ka krijuar një bazë të mirë lojtarësh dhe besoj që do të ecë mirë.
– Po në sezonin e ri, do të ketë të njëjtat pretendime Vllaznia?
Mendoj se Vllaznia edhe në sezonin e ri do të jetë pretendente. Ka ruajtur bazën e lojtarëve dhe do të ketë sërish objektiva ambiciozë.
– Për më shumë se një vit keni qenë larg Shkodrës dhe Shqipërisë. Me çfarë merret tani Vioresin Sinani?
Po është e vërtetë që prej disa kohësh nuk kam qenë këtu për arsye personale, por tashmë jam rikthyer. Me çfarë merrem? Gjithë jetën jam marrë me futboll dhe me futboll do të vazhdoj të merrem edhe në të ardhmen./SHKODRA-SPORT.COM/