Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Merkatoja e janarit po ndez gjithnjë e më shumë interesin rreth futbollistëve shqiptarë dhe të huaj, teksa klubet e Superligës janë në kërkim të përforcimeve cilësore. Një prej emrave që ka hyrë fuqishëm në radarët e skuadrave shqiptare është edhe sulmuesi Klejdi Daci. Ky i fundit, aktualisht aktivizohet jashtë vendit në ekipet e Superligës së Uzbekistanit, ku është huazuar te Kokand 1912 nga AGMK, duke vazhduar të tregojë potencialin e tij si numër 9.
Sipas informacioneve të “Shkodra Sport”, Vllaznia ashtu si edhe për Redon Xhixhën, po monitoron nga afër situatën e Dacit dhe ka shfaqur interes konkret për ta sjellë atë në Shkodër si përforcim në repartin ofensiv. Madje, burime pranë klubit bëjnë me dije për “Shkodra Sport” se trajneri Edi Martini e ka marrë personalisht në telefon sulmuesin Klejdi Daci, për të diskutuar mundësinë e një transferimi të mundshëm.
Në ditët në vijim, pritet edhe një përgjigje e Dacit, nëse do të jetë pjesë e Vllaznisë apo jo. Sulmuesi, që më parë në kampionatin shqiptar ka qenë pjesë e Kastriotit, Kukësit dhe Teutës, vlerësohet për forcën fizike, lojën në zonë dhe eksperiencën e fituar jashtë vendit, elementë që e bëjnë një profil të përshtatshëm për kërkesat e stafit teknik të kuqebluve.
Në fakt, trajneri Edi Martini e njeh mirë këtë lojtar, duke qenë se më parë e ka patur nën drejtimin e tij tek Teuta. Nëse kjo lëvizje do të konkretizohet, Klejdi Daci pritet të jetë një armë shtesë për sulmin e Vllaznisë, duke rritur konkurrencën dhe alternativat për objektivat e klubit në pjesën e mbetur të sezonit.


