Vllaznia ka nisur punën për pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës dhe sezonin e ardhshëm në Superiore. Por kjo Vllazni do të jetë shumë ndryshe nga ajo e cila pak javë më parë mbylli sezonin me fitoren e Kupës së Shqipërisë dhe ndau praktikisht titullin kampion me Teutën, e kaluar vetëm nga golavarazhi.

Klubi shkodran po përjeton një eksod të mirëfilltë lojtarësh, të cilët kanë shfrytëzuar suksesin me kluqeblutë për të gjetur sistemim në klube të tjera në Superiore e jo vetëm. Përtej dështimeve të merkatos së janarit, të cilët do të largohen nga klubi, ekipit i kanë dhënë lamtumirën edhe shumë emra të rëndësishëm.

Herald Marku kishte oferta nga Kukësi e Partizani e ka zgjedhur këtë të fundit për të luajtur në kryeqytet, ndërsa duket se do të ketë kundërshtar në derbi mbrojtësin e majtë, Aleksandar Isaevski, i cili është në negociata me Tiranën e ka marrë ofertë edhe nga Kukësi.

Demir Imeri pritet të largohet drejt Teutës, Eni Imami drejt Dinamos, kurse për brazilianin Da Silva ka gjasa të kthehet në Shkodër vetëm për Europën, pasi kërkesat për të kanë qenë të shumta nga thuajse të gjithë klubet kryesore në Superiore.

Ndërkaq, ka pasiguri për emra si Gurishta e Hoxhaj, të cilët kanë shprehur hapur dëshirën për të luajtur jashtë dhe pas Europës, mund të largohen nga Vllaznia për të luajtur në një kampionat tjetër.

Me pak fjalë, Vllaznia do të humbasë ata emra që i dhanë mundësinë që të zhvillonte një sezon historik për kuqeblutë, e do të nisë gjithçka thuajse nga e para me Brdariç, /vipsport/