Trajneri Edi Reja e ka vendosur që të luajë me një rreshtim 3-5-2, të preferuarin e tij, që në ndeshjen e parë në drejtimin e kuqezinjve ndaj Islandës.

Edhe pse aktualisht skuadra përballet me një krizë të mirëfilltë mungesash për dëmtime e pezullime, trajneri vazhdon t’i qëndrojë besnik idesë së tij për mënyrën e lojës dhe sot e ka venë në zbatim në fushë.

Pas ushtrimeve stërvitore, ai ka ndarë skuadrën ën dy grupe prej 10 lojtarësh që kanë punuar mbi skemat taktike, ndërsa “spektatorë” kanë mbetur Abrashi e Ismajli të dëmtuar.

Reja ka rreshtuar dy formacione 3-5-2 dhe gjatë stërvitjes së pasdites ka kërkuar nga të dy palët lëvizjet që duhet ët bëjnë lojtarët në fushën e lojës.

Në njërën anë, ai që në teori është rreshtimi titullar, Elseid Hysaj ishte pozicionuar për herë të parë në karrierën e tij si qendër e djathtë, ndërsa Dermaku e Mihaj plotësonin prapavijën. Nga krahët, Balliu në të djathtën dhe Lenjani në të majtën ishin futbollistët të cilët do të shtynin në sulm dhe do të kërkonin gjithashtu të jepnin ndihmë në mbrojtje.

Mesfusha me tre shihte Bashën, Xhakën dhe Kaçen si titullarë në këtë ndeshje testuese. Ndërsa përpara, Armando Sadiku dhe Myrto Uzuini përbënin dyshen e sulmit. Ky mendohet të jetë edhe rreshtimi titullar nëse Abrashi dhe Ismajli nuk ia dalin të bëhen gati për ndeshjen e fundjavës, ndërsa Reja u ka dhënë shpesh udhëzime për të gjitha fazat e lojës lojtarëve.

Nga ana tjetër, në rreshtimin e dytë që ndërtoi ai, Mavraj, Ajeti e Veseli përbënin qendrën e prapavijës me Roshin e Alijin nga krahët.

Ramadani, Qose e Ndoj janë alternativat e formacionit të dytë në mesfushë, ndërsa në sulm janë Balaj e Çikalleshi të cilët për momentin parashikohet ta nisin ndeshjen nga stoli. /vipsport/