“Vllaznia mund të jetë në Final Four.” Ky është mendimi i shumë specialistëve, të cilët nisur edhe nga kontigjenti që ka në dispozicion trajneri Qatip Osmani, mendojnë se kuqeblutë mund t’ia dalin ta arrijnë atë objektiv. I këtij mendimi është edhe ish-drejtori i Partizanit, tashmë në rolin e menaxherit të futbollit dhe analistit sportiv, Elton Marini.

Ai ka qenë në një lidhje direkte me emisionin “Star Sport” në ekranin e Star Plus, teksa duke folur për Vllazninë, tha se në vazhdim merkatoja duhet të jetë shumë e thjeshtë, pasi kjo skuadër nuk duhet të ndryshohet.

“Personalisht, unë nuk jam dakord që skuadra duhet të ndryshohet. Këtë e tregoi më së miri edhe fitorja ndaj Dinamos. Për potencialet që ka Vllaznia në rradhët e saj, mendoj se mund të luajë më shumë në fazën ofensive, pasi nuk është se i mungojnë futbollistët. Mund të ketë probleme në mbrojtje, por në mesfushë e sipër janë mirë.

Unë nuk kam qenë dakord me lëvizjet e bëra tek Vllaznia, as me shkarkimin e trajnerit Memelli, as me shkarkimin e drejtorit Plori. Gjithsesi, unë e shikoj Vllazninë në katërshe, pasi për shumë vite i ka dhënë tonus kampionatit shqiptar, por ka fituar edhe dy Kupa Shqipërie vit pas viti.

Ajo që më vjen keq mua është se Shkodra prodhon, por nuk i aktivizon të rinjtë. Ky është një nga problemet e Vllaznisë. Në Shkodër, merkatoja duhet të jetë shumë e thjeshtë. Ato duhet të mbështeten tek bazat e brendshme, pra tek prodhimi shkodran dhe jo të afrohen futbollistë me video nga YouTube”,-tha në emisionin “Star Sport” analisti sportiv, Elton Marini./SHKODRA-SPORT.COM/