“Air Albania” është stadiumi që do presë ditën e shtunë në orën 19:45 ndeshjen Tirana-Vllaznia. Klasikja e futbollit tonë do luhet në impiantin më modern të Shqipërisë.

Një stadium që plotëson çdo kusht dhe që mund të krahasohet me impiantet e tjera në Europë. Madje UEFA ka vendosur që finalen e Conference League këtë edicion ta zhvillojë pikërisht në Tiranë dhe stadiumin “Air Albania”.

Por ky impiant ka sjellë emocione të jashtëzakonshme për Vllazninë në sezonin e shkuar. Dy fitore super të rëndësishme në dy momente kyçe të edicionit të kaluar. Duke filluar nga data 21.05.2021.

Vllaznia luante javën e parafundit të kampionatit përballë Partizanit në “Air Albania”. Një fitore me një gol të Markut, sukses që do çonte kampionatin në foto-finish për javën e fundit.

Po ashtu ndoshta edhe më emocionuese dhe e rëndësishme edhe data 31.05.2021. Vllaznia pas 13 vitesh rikthehej të fitonte trofe. Shkodranët triumfonin në “Air Albania” në finalen e kupës së Shqipërisë përballë Skënderbeut me rezultatin 1-0. Vendoste goli i shënuar nga Da Silva në minutën e 39-të.

Pra një stadium goxha fatsjellës për Vllazninë ka rezultuarc “Air Albania”. Patjetër tek shkodranët do kërkojnë që këtë traditë pozitive dhe të mbushura me emocione të mëdha ta vijojnë edhe kundër Tiranës ditën e shtunë në kryeqytet.

Endri ÇINARI