Vllaznia ka prezantuar ditën e sotme afrimin e rradhës në skuadër, që është Konstantin Cheshmedijev. Futbollisti aktivizohet në rolin e mbrojtësit, repart ku kuqeblutë po kërkojnë ende përforcime. Kjo duke parë edhe eksodin që ka pasur skuadra në këto ditë. Emrat që kanë qarkulluar janë ata të Milos Stojanovic dhe Egzon Belices.
Futbollisiti serb që e mbylli sezonin me Kastriotin prej kohësh është në fokus, por ende pa ndonjë lëvizje konkrete. E njëjta gjë vlen edhe për Egzon Belicen. 32-vjeçari ishte pjesë e Prishtinës në sezonin e shkuar dhe vlerësohet shumë për cilësitë dhe eksperiencën e tij. Por burime pranë lojtarit konfrimojnë se ende Vllaznia nuk ka paraqitur një ofertë në drejtim të mbrojtësit.
Pavarësisht se interesimi i shkodranëve është konkret, është oferta ajo që po mungon. Me sa duket drejtuesit e Vllaznisë nuk duan të nxitohen për një lëvizje të tillë, kjo ndoshta për të studiuar akoma më shumë për mundësitë që mund të afrojë tregu. Megjithatë me kupat e Europës në prag, do ishte e vlefshme që skuadra të merrte formën që tani.
Gjatë karrierës së tij, Belica është aktivizuar me Shkëndijën dhe Partizanin në vendin tonë ku u shpall edhe kampion. Po ashtu ka pasur eksperienca të huaja me skuadra si Riga apo Inter Turku. E një afrim i tij në mbrojtjen e Vllaznisë patjetër që do ishte shumë i vlefshëm për skuadrën.
Endri ÇINARI