Situata në kampin shkodran ka ndryshuar me 360 gradë. Në pamje të jashtme por edhe duke e ndjekur nga brenda problematikën e Vllaznisë, merret vesh lehtë. Vetë trajneri e ka pranuar se një situatë të tillë kaq të qetë nuk e kishte hasur asnjëherë më parë gjatë këtyre 4 muajve që punon në Shkodër.

Kjo qetësi dhe garancia që drejtuesit e klubit kanë dhënë për të ardhmen, janë tregues se kuqeblutë do jenë shumë më mirë në javët e ardhshme. Fitorja në Fier u ka dhënë krahë futbollistëve dhe stafit megjithatë ata janë të përqendruar në maksimum edhe për sfidën e rradhës me Elbasanin. Ato janë të karikuar për ta fituar edhe këtë takim dhe nëse ndodh kështu, vërtetë gjërat do të bëhen më të lehta për të ardhmen.

Mbledhja e Këshillit Bashkiak
Në ditët e ardhshme pritet që të organizohet një mbledhje jashtë rradhe e Këshillit Bashkiak Shkodër. Kjo nuk është konfirmuar ende nga sekretaria e tij por bëhet e ditur nga anëtarët e Bordit Mbikëqyrës të klubit të futbollit Vllaznia. Ata në fakt e lajmëruan që prej mbledhjes së fundit të nëntorit se do ketë një tjetër mbledhje pikërisht për të miratuar një fond që do t’i duhet këtij klubi për ta mbyllur këtë vit. Në atë mbledhje, kryetari i Këshillit Bashkiak Bardhyl Lohja i pat bërë të ditur se kërkesa e tyre për fonde shtesë i duhet bërë institucionit të Bashkisë sepse do të jetë ai që do t’i gjejë ato. Në fakt, nga ana e kryebashkiakut Luka ende nuk është dhënë një aprovim nëse këto lekë do t’i gjejë apo jo sepse është fund- viti dhe kuptohet që tashmë nuk ka më financime që mund të bëhen. Por përderisa Bordi i Vllaznisë është i përbërë nga anëtarë të 4 grupimeve politike, kjo do të thotë se vetë ata do të gjejnë një kompromis për t’ia hequr dikujt ato para dhe për t’ia kaluar futbollit. Mbledhja mendohet që të organizohet deri në fundin e kësaj jave ose maksimumi në fillimin e javës së ardhshme.
Garancia për të ardhmen
Përderisa anëtarët e Bordit kanë vënë një shumë prej 10 milionë lekësh si shpërblim për dy fitoret me Apoloninë dhe Elbasanin, kjo do të thotë se ata po mendojnë jo vetëm për rrogat dhe shpenzimet e tjera por edhe për premio në mënyrë që skuadra të ecë përpara. Këto premio në fakt e dhanë menjëherë efektin me fitoret e fundit ndaj Flamurtarit dhe Apolonisë. Kuptohet që dëshira është për të bërë gjëra të mira edhe në të ardhmen megjithatë për momentin e rëndësishme është që të mbyllet ky vit njëherë.

 

© shkodrasport.com