Wednesday, March 25, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREEpilogu i kampionatit, kalendar i 'fortë' për Vllazninë

Epilogu i kampionatit, kalendar i ‘fortë’ për Vllazninë

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vijon të ndizet gara për titullin në elitën e futbollit shqiptar dhe Vllaznia hyn në 7 javët e fundit të kampionatit me një kalendar që, në letër, nuk duket plotësisht në favor të kuqebluve. Skuadra shkodrane, që mban peshën e historisë si një prej klubeve më të suksesshme në vend, do të duhet të menaxhojë me kujdes çdo sfidë në këtë sprint final, ku çdo pikë mund të rezultojë vendimtare për fatin e titullit.

Nga ndeshjet e mbetura, tre prej tyre do të zhvillohen në “shtëpi”, përballë Teutës, Bylis dhe Flamurtarit në javën e fundit të edicionit. Në letër, këto duele duken të kalueshme për ekipin e drejtuar nga Martini, por ky sezon ka treguar se pikërisht sfida të tilla kanë qenë shpesh pengesë për kuqeblutë, të cilët jo rrallë kanë lënë pikë të rëndësishme ndaj kundërshtarëve më modestë.

Ndërkohë, sfidat në transfertë pritet të jenë edhe më të vështira dhe vendimtare. Fillimisht, Vllaznia do të përballet me Partizanin, një rival tradicional dhe gjithmonë i fortë në përballje direkte. Më pas, do të jetë radha e Vora, një skuadër që lufton për mbijetesë dhe që në këtë fazë të sezonit bëhet jashtëzakonisht e rrezikshme për çdo kundërshtar.

Po ashtu, një tjetër përballje direkte për kreun do të jetë ndaj Elbasanit, ku diferencat janë minimale dhe çdo rezultat mund të ndikojë drejtpërdrejt në renditje. Nuk mungon as “klasikja” ndaj Tiranës, një duel që historikisht ka sjellë emocione dhe të papritura, pavarësisht formës së ekipeve. Madje, duke parë gjendjen aktuale të kryeqytetasve, pikët janë jetike për ta, ç’ka e bën sfidën edhe më të komplikuar për shkodranët.

Kështu, një pjesë e mirë e fatit të sezonit për Vllazninë do të vendoset pikërisht në transfertë, aty ku skuadra duhet të tregojë karakter, pjekuri dhe vazhdimësi në rezultate. Presioni është i lartë, por njëkohësisht edhe motivimi për të ruajtur kreun dhe për të bërë hapin final drejt titullit kampion.

E qartë është se kuqeblutë do të kërkojnë maksimumin në çdo duel dhe ndaj çdo kundërshtari. Objektivi është i vetëm dhe nuk lë vend për llogaritje: fitimi i titullit kampion. Nëse Vllaznia arrin të kalojë me sukses këtë kalendar të vështirë, atëherë rruga drejt trofeut do të jetë më e hapur se kurrë për një nga emrat më të mëdhenj të futbollit shqiptar.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments