
Mungesa e Alsid Tafilit për arsye kartonash do t’i hapë vendin aktivizimit të një futbollisti të ri në ndeshjen e rradhës me Tiranën. Bëhet fjalë për mesfushorin 18 vjeçar Ergi Borshi. Ai mendohet të jetë nga minuta e parë në fushë të shtunën ndaj bardhebluve. Të paktën këtë plan ka trajneri Artan Bushati i cili e ka aktivizuar atë në formacionin e parë në miqësoren e sotme me Bushatin. Ergi është djali i ish- futbollistit të Vllaznisë së viteve ’80 Ferid Borshi dhe duket se ka një të ardhme të mirë përpara. Në ndeshjen e sotme ndaj ekipit të Bushatit, Borshi ka luajtur në repartin e mesfushës përkrah të riut tjetër Kruja si dhe me Hajdarin e Dragoin. Para tyre kanë qenë Bardulla e Rexha ndërkohë që në portë si zakonisht do luajë Vujadinoviç dhe në mbrojtje katërshja e përbërë nga Smajli, Beqiri, Belisha dhe Marku. Siç shikohet mosha mesatare e ekipit shkodran do jetë shumë e re, por në rradhët e saj janë disa lojtarë që premtojnë shumë për të ardhmen. Njëri prej tyre padyshim që është edhe Borshi për të cilin do jetë edhe prova e parë të shtunën ndaj Tiranës.
www.shkodrasport.com