Tirana dhe Partizani përballen me njëra tjetrën të hënën në orën 19.45, në kuadër të Kategorisë Superiore. Një nga njohësit më të mirë të elitës së futbollit shqiptar është Ernest Gjoka. 51 vjeçari i lindur në Tiranë ka drejtuar skuadra si Vllaznia apo Kukësi.

Trajneri i lindur në Tiranë është kontaktuar nga Newsport.al, duke u pyetur pikërisht për ndeshjen më të shumëpritur në kryeqytet, derbin. Gjoka jep mendimin e tij për 90 minutëshin e zjarrtë, por jo vetëm kaq. Një temë e nxehtë padyshim është edhe çështja e stolit, teksa dihet se është pa punë që kur u largua nga Shkëndija.


– Jeni njohës i mirë i Kategorisë Superiore. Si e shikoni Tiranën dhe Partizanin në këtë derbi?

Kjo ndeshje vjen në një moment shumë të mirë për ekipin e Tiranës dhe në një moment jo pozitiv nga Partizani!

Tirana ka startuar në menyrën më te mirë të mundshme kampionatin dhe me meritë kryeson. Skuadra po funksionon mirë dhe ardhjet e reja janë përshtatur shpejt. Lima dhe Totre i kanë dhënë shumë qartësi lojës së Tiranës në të dyja fazat, por sidomos në fazen sulmuese, ku çdo aksion nis nga ata.

Partizani ka një ngerç psikologjik dhe s’po del dot tek fitorja. Kjo po e bën te vuajë shumë. Partizani i ka lojtarët dhe rezultatet janë thjeshtë çështje kohe.

Ndeshja e radhës do të jetë nje ndeshje shume e rëndësishme për të dyja skuadrat, e veçanërisht për Partizanin.


– Kush mendoni se është “asi nën mëngë” i të dy skuadrave në këtë përballje?

Skuadra që zotëron mesfushën, do fitojë ndeshjen.


– Tirana nuk ka asnjë fitore në 5 derbit e fundit. Sa rëndësi ka kjo në këtë takim?

Nuk ka rëndësi sa fitore ose humbje ke patur. Çdo përplasje mes këtyre skuadrave ka histori të re.


– Aktualisht jeni pa skuadër prej kur u larguat nga Shkëndija. Të ka konktaktuar ndonjë ekip i Kategorisë Superiore?

Jam pushim dhe po rikuperoj forcat. Kjo është e vetmja mënyrë për t’u bërë gati për një projekt të ri ambicioz. /newsport/