Ernest Gjoka arriti të fitonte titullin kampion në Shqipëri me Kukësin duke pësuar një humbje vetëm në ndeshjen e fundit të kampionatit. Megjithatë, me Vllazninë e Kamzën nuk ka pasur shumë fat dhe pas disa javësh aventurë, është larguar e aktualisht, është i lirë.
Në një prononcim për ‘Gazeta Olle’, Gjoka ka pranuar se do të ishte i gatshëm të largohej nga futbolli shqiptar, nëse do të kishte një projekt ambicioz nga Kosova. Ai shton se niveli i futbollit në Kosovë është rritur shumë dhe nga dita në ditë po rritet.
“Sigurisht që e ndjek kampionatin tuaj, i cili po rritet çdo vit. Edhe sivjet po bëhet luftë e fortë mes Prishtinës, Feronikelit e Llapit për të arritur objektivin e titullit dhe do të jetë një garë e rreptë.
Unë e shoh që Superliga është në zhvillim dhe kjo është e rëndësishme që edhe pse ecën ngadalë, nuk ndalet. Kjo të jep shpresë që gjërat do të ecin për mbarë.
Është një gjë normale sepse jemi një popull. Ky fenomen ka vetëm zhvillim dhe mësim për të gjithë.
Unë mendoj që është thjeshtë çështje kohe, pasi e thashë se ne jemi një popull dhe duhet të shkëmbejmë jo vetëm eksperiencën por edhe dashurinë e respektin për njëri-tjetrin.
Absolutisht që jam i hapur nëse do të kem ndonjë ofertë ambicioze, pse jo. Ne jemi profesionistë dhe kërkojmë projekte ambicioze”, tha Gjoka. /VipSport.