Të vetmin titull që Kukësi ka, e mori me të në drejtim (në sezonin 2016-2017). Ernest Gjoka po merr kënaqësi prej Vllazninë, por e paralajmëron që të shtojë disi dozën e agresivitetit.
“Kur nisi sezoni, pretendentë shihja Kukësin, Teutën, Laçin dhe Tiranën. Partizanin me problemin e mbylljes së merkatos e shikoja një ekip që do të luftonte për një vend në Europë, por jo për titull. Megjithatë, si gjithmonë çdo vit, ka një ekip që bën surprizën.
Këtë herë doli Vllaznia, që deri tani më ka dhënë shumë kënaqësi. Po tregon se është e denjë për t’u bërë kampione. Pse mendoj kështu? Sepse kam parë një ekip të ndërtuar me shumë kujdes dhe me mentalitet fituesi. Është një skuadër që jep në çdo ndeshje maksimumin në çdo aspekt, si fizik, taktik, por edhe të pathyeshëm nga ana mentale.
Në futbollin e sotëm modern, një skuadër e tillë thyen çdo barrierë dhe mbi të gjitha shikoj shumë qetësi. Kjo sigurisht tregon që skuadra po menaxhohet me shumë profesionalizëm nga të gjithë: si drejtori teknik e deri tek puna e shkëlqyer e trajnerit, i cili ka fituar simpatinë e skuadrës dhe kjo është e dukshme në çdo ndeshje.
Mendoj që Vllaznia po tregon se është një skuadër me disiplinë taktike në të dyja fazat e lojës dhe ka shumë ekuilibër. Lë shumë pak hapësira dhe agresiviteti për të fituar topin është maksimal. Edhe në fazën e sulmit, ku shpejtësia e daljeve dhe mbushja e zonës është në mënyrë perfekte dhe këto elemente i ka një skuadër shumë potente.
Por, kampionati është shumë i gjatë në kohë dhe do të fillojë të bëhet akoma dhe më shumë agresiv nga skuadrat që kanë objektiv titullin”, u shpreh 50-vjeçari, i cili sot drejton Shkëndijën e Tetovës.