Erzeni do jetë vizitor ditën e nesërme në “Loro Boriçi” përballë Vllaznisë. Dueli që do luhet në orën 16:45 është i vlefshëm për raundin e 10-të të Superiores. Raund që hap edhe fazën e dytë të kampionatit në vendin tonë. Shijakasit udhëtojnë drejt Shkodrës me moralin e duhur, kjo pas fitores kundër Tiranës në shifrat 0-1.
Por gjithashtu është edhe fitorja në javën e parë të kampionatit kundër Vllaznisë me shifrat 1-0 që i jep akoma më shumë zemër skuadrës së Kapllanit. Shifrat e shijakasve në duelet jashtë shtëpisë nuk janë aspak negative. Kjo pasi ata numërojnë 4 duele në udhëtim duke grumbulluar 7 pikë nga 12 të mundshme.
Spikasin këtu fitoret jashtë kundër Tiranës dhe Partizanit, të dyja në shifrat 0-1. Po ashtu Erzeni ka marrë edhe një barazim kundër Kastriotit me rezultatin 0-0, ku patjetër edhe krutanët nuk janë aspak një ekip komod. E vetmja humbje jashtë shtëpisë është ajo kundër Bylis, me rezultatin e thellë 4-1.
Erzeni ka treguar se është një ekip goxha i stabilizuar në mbrojtje këtë edicion. Ku ka pësuar gola vetëm nga Kukësi dhe Bylis, prandaj edhe Vllaznia nuk do e ketë aspak të lehtë ndaj shijakasve që me meritë ndodhen në vendin e dytë të renditjes me 15 pikë.
Endri ÇINARI