Vllaznia ka nisur punën për të forcuar skuadrën për sezonin e ri. Një nga emrat që është përfolur se është në fokusin e skuadrës është edhe shkodrani i mbrojtjes Esin Hakaj.
HAKAJ – Pas një sezoni të suksesshëm me Partizanin mësohet se Hakaj është vënë në shënjestër të disa skuadrave si brenda, ashtu dhe jashtë Superligës. Por, ajo që duket se ka nisur ndër të parat për të kërkuar shërbimet e lojtarit, ka qenë edhe Vllaznia. I pyetur nëse ka sinjale në këtë drejtim, vetëm mbrojtësi Hakaj shprehet:
“Kemi pasur një bisedë me drejtuesit, por pa diskutuar më shumë. Kjo për vetë faktin se unë jam në kontratë me klubin e Partizanit deri në fund të këtij muaji. Po ashtu, edhe klubi ku bëj pjesë ka kërkuar sërish që të vijoj bashkëpunimin me ta”. Ndërsa i pyetur nëse ka ekipe të tjera që kanë nisur kontaktet me të ai ka vijuara duket thënë:
“Kam edhe oferta të tjera në këtë periudhë. Këto janë nga klube të Superligës, por edhe nga jashtë saj. Nuk dua që të flas me emra konkretë, pasi nuk është etike në këto momente”.
Me sa duket, mbrojtësi që luajtur më shumë minuta në këtë sezon, duke qenë madje edhe një nga lojtarët më “Fair Play” do të shikojë pse jo edhe bashkimin me ekipin prej edhe nga nisi hapat e parë.