Faruk Sejdini, ish-trajneri dhe ikona e Dinamos ka analizuar situatën e Bluve. Të ndodhur në pozita jo komode dhe në luftë për mbijetesë, Nëndetësja vuan në fundin e Superligës.

Për Sejdinin, Dinamo e bëri si Nastradini. Ndërrimi i trajnerëve, kompozimi i skuadrës dhe mungesa e figurave që e ndjejnë fanellën, këto janë disa nga arsyet e cekura në Sport News nga ish-trajneri.

“Dinamo do zbukuronte kampionatin, në mendim do bënte hov cilësor. Probabiliteti për mbijetesën është i vogël, nesër ndeshje kyçe me Kastriotin. Janë pikë dyfishe me rival direkt, Kastrioti di ç’bën, di ku është. Ka bërë lojëra pozitive.

Ju bëni analizë, ne bëjmë analizë. Fshati që duket s’do kallauz. Gabimi ishte që në fillim në kompozim, hap pas hapi Dinamo e bëri si Nastradini. Njëherë e përzunë se ishte veshur keq dhe më pas i dhanë për të ngrënë gjëra jo të mira. Ha president qyrk se është fanella e Dinamos.

Një ikonë e Dinamos në klub? Janë skuadra me rrënjë dhe traditë, po shkule rrënjën nuk lë gjurmë të mirë. Do isha për një dinamovit, si Demollari. Përgjegjësia morale ndahej. Në gjithë konturin e stafit nuk kishte dinamovit.

Kur thashë se dy trajnerët Brdaric dhe Longo janë të dobët, thanë ç’thotë ky xhaja. Por po vërtetohet. Te Dinamo duhet të ishte një ikonë për mendim. Nuk do mendoja kurrë se do ishte Dinamo për mbijetesë.

Unë kamerierët e Tiranës do merrja dhe nuk do bija nga kategoria, është turp për Dinamon”, tha Faruk Sejdini./newsport/