Ndeshjet e kombëtareve gjithnjë sjellin dëmtime të frikshme me vete dhe këtë herë ai që e ka pësuar është Nikolo Zaniolo. Ylli i Italisë u dëmtua mbrëmjen e djeshme në sfidën ndaj Holandës teksa u detyrua të linte fushën në minutën e 42. Sulmuesi sapo ishte rikthyer nga një dëmtim i rëndë, këputje e ligamentit të gjurit të djathtë.

Këtë herë frika ishte për gjurin e majtë dhe ankthi ishte i madh, teksa gjithçka do të vendosej nga analizat e sotme të mëngjesit. Dhe, analizat kanë konfirmuar frikën më të madhe të Zaniolos e ai ka pësuar sërish të njëjtin dëmtim. Këtë herë në ndryshim nga hera e parë, bëhet fjalë për gjurin e majtë.

Vërtet i pafat Zaniolo duke qenë se vetëm në moshën 21-vjeçare, pëson dy dëmtime të shumë të rënda. Tashmë, futbollisti duhet t’i nënshtrohet nesër ndërhyrjes kirurgjikale dhe për rikthimin e tij në fushë mund të përflitet vetëm nga muaji shkurt. /VipSport/