Te Vllaznia ka ende një çështje për t’u zgjidhur, para se të nisë puna për ndeshjet e Conference League. Kështu, bëhet fjalë për ata futbollistë që u ka mbaruar kontrata dhe që klubi dëshiron t’i mbajë ende në skuadër. Tashmë, pothuajse të gjithë janë konfirmuar, duke nisur nga Zogoviç, Bulatoviç, Hakaj dhe Jonuzi, ndërsa Da Silva ka konfirmuar largimin.

Megjithatë, njëri prej tyre që është akoma në dilemë, është mbrojtësi Mevlan Adili, i cili në fund të sezonit doli një futbollist i lirë dhe aktualisht nuk ka një marrëveshje për të vazhduar më tej.

Burime të “Shkodra Sport” pohojnë se trajneri Mirel Josa e do me çdo kusht në skuadër dhe e sheh një pikë referimi në mbrojtje, prandaj klubi i ka ofruar rinovimin e kontratës.

Mirëpo, 28-vjeçari ka në tavolinë edhe disa oferta të tjera, njëra prej të cilave jashtë vendit dhe për momentin ende nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë.

“Shkodra Sport” mëson se brenda javës do të vendoset përfundimisht, nëse Adili do të pranojë rinovimin apo do të vazhdojë karrierën diku tjetër. Kështu, në ditët në vijim mbetet për t’u parë e ardhmja e Mevlan Adilit, nëse do vazhdojë te Vllaznia apo diku tjetër.
Maringlen ZHIVANI