Gjimnastika në Shkodër për një periudhë gati 15 vjeçare, ka qenë në kulmin e saj. Sidomos ajo e femrave. Nën drejtimin e trajnerit Bardhyl Hoxha, u krijua një ekip që fitoi shumë trofe.
Një ndër pjestaret e këtij ekipi të shkëlqyer ka qenë edhe gjimnastja Fatime Sujovi e cila bashkë me Ermira Mandia, Remzije Ashikja, Qamile Rama, Mimoza Skuqi, Irma Zyberi etj, bënë historinë e gjimnastikës shkodrane.
Lart nga e majta: Remzije Ashikja, Fatime Sujovi, trajner Bardhyl Hoxha, Qamile Rama, Mimoa Skuqi.
Poshte: Mira Mandija, Irena Zyberi, Rozeta Vasili, Angjelina Manovi
Jo më kot, një pjesë e mirë e këtyre sportisteve, dy ditë më parë u nderuan me titullin “Mirënjohje” nga Bashkia Shkodër në një ceremoni shumë interesante të zhvilluar në ambjentet e këtij institucioni.
Duke folur për “Shkodra Sport” në lidhje me këtë nderim dhe karrierën e saj dhe emocionet që ka përjetuar duke përfaqësuar Vllazninë, Fatime Sujovi shprehet:
“Jam e lumtur që kam përfaqësuar një emër shumë të madh siç është Vllaznia. Kam fituar medaljet e arta në Spartakiadat Kombëtare të viteve 1979 dhe 1984 si individe por kemi fituar edhe si ekip
Vllaznia ka përfaqësuar ngjyra, model, kulturë, zhvillim dhe si bijë e Shkodrës i ndihem prapë borxhlie Vllaznisë dhe Shkodrës, qytetit tim”.
Sujovi ka qenë për vite me rradhë përveçse një sportiste e talentuar e Vllaznisë, edhe e ekipit tonë kombëtar dhe padyshim që zë një vend të rëndësishëm në historinë e këtij sporti.
Gjergj KOLA