Dita e tij është shumë e ngjeshur gjithmonë. Paradite mësues në një nga shkollat e qytetit, më pas vrapon drejt fushës sportive “Reshit Rusi” për të drejtuar përgatitjen fizike të ekipeve të Akademisë së futbollit Vllaznia.
Por dita nuk mbyllet këtu për Fatjon Serhatin, trajnerin e atletikës së Vllaznisë. Ai nxiton drejt pistës së stadiumit “Loro Boriçi”, aty ku e presin Ravio Rama, Heldi Valikaj dhe të tjerë, me të cilët punon intensivisht për t’i ngjitur sa më lart në anën profesionale dhe jo më kot ato janë kampionë të Shqipërisë.
Për fatin e mirë, profesor Fatjoni këtë të dielë e ka patur pushim dhe do të festojë me njerëzit e tij të dashur 37 vjetorin e tij të lindjes.
Pak kohë më parë ai mori një çmimi si “trajneri më i mirë i moshave” për vitin 2018, organizuar në Shkodër nga Buna 1. Dhe në fakt e meriton sepse prej vitesh stërvit kampionë. Ashtu siç ka qenë vetë në rininë e tij kur spikaste në pistat e atletikës së Shqipërisë.
Gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura Fatjon Serhati dhe sa më shumë suksese në karrierën e tij si mësues, por edhe si trajneri i përgatitjes atletike në futboll dhe si trajner i atletikës.
© shkodrasport.com