Vllaznia e sezonit të ri duhet të nisë menjëherë nga puna sepse pritshmëria për të është shumë e madhe. I këtij mendimi është një nga emrat e njohur të futbollit shkodran Fatmir Paçrami i cili në një prononcim për “Shkodra Sport” ka bërë thirrje për ndërhyrje sa më të shpejtë sepse me tre lojtarë që janë aktualisht nën kontratë, nuk mund të shkohet askund.
“Vllaznia do të rregullohet vetëm nëse Bashkia e ndihmon me fonde sepse pa sponsor dhe pa financime nuk ka si të shkojë përpara. Nuk mund të blihen lojtarë në kushtet ku ajo ndodhet.
Kemi vetëm 3 lojtarë nën kontratë dhe kuptohet që skuadra duhet bërë nga e para. Duhet ndryshuar 70 për qind dhe prandaj duhet ndërhyrje e mbështetje”.
I pyetur nëse pret një Vllazni ndryshe në fushën e lojës sezonin e ri, mjeshtri Paçrami shton: “Unë pres një Vllazni ndryshe, në rradhë të parë për hatër të tifozëve shkodranë. Në daç Bashkia, në daç sponsorët, duhet të bëjnë çmos ta ndihmojnë Vllazninë për të shkuar aty ku ka qenë në kohën tonë”.
Paçrami i shtohet zërit të specialistëve të futbollit të cilët duan ndryshime rrënjësore tek Vllaznia e sezonit të ardhshëm, e cila duhet të ketë pretendime krejt të tjera nga këto të sezoneve të fundit.
© shkodrasport.com