Marash Kumbulla ka bërë të dashurohen shumë klube europiane pas tij. 19-vjeçari ka treguar cilësitë e një lojtari të madh dhe vlera e mbrojtësit në merkato sa vjen e rritet. Një sërë ekipesh të mëdha interesohen për të, ndërkohë që talentit i duhet të zgjedhë.

Fatmir Vata, ish-mesfushori i kombëtares sonë dhe klubit të Tiranës, nëpërmjet medieve gjermane këshillon Kumbullën që të transferohet në Bundesligë, konkretisht te Borusia Dortmund. 48-vjeçari mendon se verdhezinjtë do të ishin hapi i duhur për yllin e kombëtares sonë. I jep shembullin e Lalës e Skelës.

”Te Dortmundi do të përshtatej më së miri Kumbulla. Kalimi atje do të ishte hapi i duhur. Ai do të kishte shanse më shumë atje, sesa në skuadra si Mançester Junajtid. Dortmundi duhet të dërgojë menjëherë ofertën për të, nuk duhet të presë.

Kumbulla është i fortë në dyluftime, mund të përdoret në mënyra të ndryshme dhe është i rrezikshëm me kokë në goditjet standarde. Gjermania është vendi perfekt për futbollistët shqiptarë.

Kujtojmë Skelën apo Lalën, që janë ndierë shumë mirë këtu. Marashin e pret një karrierë e madhe dhe duhet të vazhdojë në Bundesligë”, përfundon Vata për “Sport Buzzer”. /VipSport/