✍️ Shkruar nga Gjergj KOLA
Ish- pingpongisti i njohur i Vllaznisë Gëzim Pepa është nderuar sot me një “Çertifikatë Mirënjohje” nga Federata Shqiptare e Pingpongut. Ceremonia është zhvilluar në ambientet e pallatit të sportit “Qazim Dervishi” gjatë zhvillimit të garave të Kupës së Shqipërisë për të rritur.
Ka qenë sekretari i kësaj Federate Tonin Binoshi, ai që ia ka dorëzuar këtë çmim dhe padyshim që Pepa është parë shumë i gëzuar për vlerësimin e bërë nga institucioni drejtues i sportit të cilit ai i kushtoi gati 40 vite të jetës së tij.
Gëzim Pepa e ka nisur karrierën herët dhe në vitin 1978 do të dilte kampion i Shqipërisë për të rinj. Me pas do të bëhej pjeesë e ekipit të Labinotit të Elbasanit gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak dhe me këtë ekip do të dilte kampion me të rriturit por edhe fitues i Spartakiadës Kombëtare.
Dhe do ta mbyllte karrierën në vitin 2003 kur do të dilte sërish kampion, por këtë herë me ekipin e Vllaznisë, atëherë kur ai ishte 43 vjeç. Një tregues ky i pasionit të jashtëzakonshëm me të cilin ai e ushtronte këtë sport.
Nderimin e sotëm nga Federata e Pingpongut e ka ndarë me të afërmit dhe miqtë e tij dhe padyshim që ky është një moment që do ta mbajë gjatë në mendjen e tij.







