Kur në Arabi po bëhet një luftë se cila skuadër merr lojtarët më të mirë, FIFA i ka bllokuar merkaton klubit të Al Nasr. Skuadra në të cilën bën pjesë edhe Ronaldo, nuk do të ketë mundësi të afrojë lojtarë të tjerë për 3 merkatot e ardhshme.

Lajmi është raportuar nga Anglia dhe është “Daily Mirror” që raporton se shkak për këtë është bërë një çështje e hershme që lidhet me një transferim.

Në vitin 2018, Al Nasr siguroi shërbimet e futbollistit Ahmed Musa nga Leister Siti por klubi arab nuk ka mbyllur detyrimet financiare karshi anglezëve, pavarësisht se ka pasur disa njoftime nga FIFA.

Shuma e papaguar nga Al Nasr është qesharake duke llogaritur shpenzimet që klubi ka bërë në vitet e fundit. bëhet fjalë për rreth 460 mijë euro të papaguara të cilat në fakt janë bonuse që klubi anglez përfitonte me kalimin e kohës, por që tani shuma është rritur për shkak të vonesave. Në Arabi, janë të bindur se do të paguhet shumë shpejt gjoba dhe merkatoja do të hapet.