Flamurtari nuk e njeh fjalën “qetësi”. FIFA i bllokon sërish sistemin. Kuqezinjtë nuk federojnë dot lojtarët e rinj që kanë afruar dhe prezantuar në këtë merkato vere.
“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se dje në klub ka ardhur ultimatumi për një detyrim ndaj Adis Nurkoviçit.Jemi duke folur për ish-portierin boshnjak, që është aktivizuar në sezonin 2017-2018 te kuqezinjtë.
“Qeveria” ndërkombëtare e futbollit ka qenë e prerë në shkresën më të fundit që i ka sjellë Flamurtarit: Nëse nuk shlyhet 35- vjeçari, nuk mund të bëhen federime.
Megjithatë, klubi e kundërshton hapur FIFA-n dhe vetë boshnjakun. Ata vënë në dispozicion të gazetës faturën që vërteton se ndaj Adis Nurkoviçit kanë bërë një pagesë prej 7500 eurosh paradhënie, pra përpara nisjes së sezonit në 15 qershor 2017.