Të shtunën mund të ndahet “shapi nga sheqeri” sa i takon skuadrës që do të shoqërojë Kamzën një kategori më poshtë. Tirana pret Kastriotin në stadiumin “Selman Stërmasi” dhe ka një mundësi të mirë për ta çuar në 5 diferencën e pikëve me këtë rival, nëse fiton.

Por presioni është rritur ndjeshëm pas humbjes në derbin me Partizanin dhe fitores së Kastriotit me Flamurtarin. “Vipsport.al” mëson nga burime pranë klubit Tirana se prej tyre do të kërkohen arbitra të huaj për finalen e mbijetesës.

Nuk dihet ende, nëse klubi bardheblu e ka bërë kërkesën zyrtare për arbitra të huaj në FSHF apo jo. Mund të duket paradoksale, por Tirana i druhet gjykimit nga arbitrat shqiptarë, aq më tepër duke pasur parasysh atë çfarë ndodhi në Fushë-Krujë në ndeshjen e fundit me krutanët.

Vetëm pak javë më parë në Laç gjykuan arbitra nga Luksemburgu, por kjo ndodhi për shkak të bashkëpunimit që FSHF-ja ka me federatat e Luksemburgut dhe Maltës për shkëmbim arbitrash. Ndoshta Tirana-Kastrioti mund të arbitrohet nga arbitra nga Malta. Kanë mbetur edhe tri javë nga fundi i kampionatit dhe tani gabimet kanë një kosto të pariparueshme.

Tirana, përveç Kastriotit, rivalit direkt në luftën për mbijetesë, luan në fushën e Laçit, që kërkon Europën dhe që marrëdhëniet me bardheblutë i ka acaruar jo pak pas ndeshjes së fundit. Kurse javën e fundit Tirana pret Flamurtarin./vipsport/