Telenovela “Donaruma” është në kapitujt e saj të fundit, teksa tashmë për akordin me PSG-në janë limuar edhe detajet, pas të cilave tani pritet vetëm kryerja e vizitave mjekësore për ta mbyllur marrëveshjen.
Dhe, sipas asaj që deklarohet nga Franca, portieri i kombëtares së Italisë, menjëherë pas ndeshjes me Zvicrën (16 qershor), pritet mëngjesin tjetër në Paris për të kryer vizitat dhe për të firmosur kontratën e tij 5- vjeçare prej 10 milionë eurosh plus bonuse. Tani duhet të kuptohet vetëm nëse Donaruma do të qëndrojë në Paris, apo do të huazohet diku tjetër për një sezon, duke parë se kjo hipotezë, edhe pse shumë absurde në dukje, nuk është përgënjeshtruar nga askush.
FLET DONARUMA – Por, në pritje për të kuptuar se çfarë do të ndodhë ditën pas ndeshjes së dytë në grupe pas Zvicrës, nga selia e “Axurrëve”, titullari i portës italiane është i përqendruar i gjithi tek Europiani. “Përfaqësojmë Italinë me krenari dhe duam ta nderojmë fanellën e kombit tonë deri në fund. Për ne ishte shumë e rëndësishme për ta nisur me këmbën e duhur kundër Turqisë, pasi kjo ishte një dozë vetëbesimi, pse jo një sinjal se kjo Itali është vërtet shumë e fortë dhe jo vetëm sepse ka fituar bindshëm disa miqësore. Përkundrazi, ky grup është një grusht i fortë i mbledhur, i cili kur godet godet i gjithi së bashku, – shpjegon Donaruma në një intervistë për ubsajtin e UEFA-s. – Sa kompakt është grupi napolitan tek Italia? Shumë…
Unë, Insinje dhe Imobile kemi një marrëdhënie të shkëlqyer dhe shpenzojmë shumë kohë së bashku. Madje, nëse doni ta dini, kemi nisur që t’i mësojmë dialektin napolitan grupit, pasi ne dimë si t’u shtojmë alegri të tjerëve (qesh)… Objektivat e Italisë dhe të mitë? Për sa i përket kombëtares, të gjithë e dimë se të mos pësosh gol është gjëja kryesore në një turne si ky, pasi njerëzit për të shënuar përpara i kemi ndër më të fortët në qarkullim.
Bonuçi dhe Kielini e njohin njëritjetrin me sy mbyllur, por edhe mesfusha ndihmon shumë prapavijën, ndaj duhet të perfeksionojmë edhe më tepër këtë gjë. Ndërsa, për sa i përket objektivit personal, unë dua thjesht që të vazhdoj të nderoj trashëgiminë e Xhanluixhi Bufonit tek Italia. Xhixhi është një legjendë, por fakti që unë kam ardhur kaq i ri në këtë kombëtare më motivon çdo ditë që të punoj shumë fort dhe pse jo të arrij dhe të thyej të gjithë numrat që ka arritur të vendosë Bufoni me kombëtaren”, u shpreh 22-vjeçari, ish-portier i Milanit.