Kombëtarja shqiptare e futsallës ka lënë pas krahëve dështimin e bujshëm përballë Andorrës, duke mundur sot Bullgarinë e duke prerë biletën në turin e parë eliminator të Kampionatit Europian. Skuadra e drejtuar nga Erind Resuli ka siguruar vendin e parë dhe kualifikimin automatik në turin tjetër në grupin paraeliminator, pa pasur nevojë për play-off.

Gjithçka ishte vënë në dyshim pas humbjes së bujshme 1-0 përballë Andorrës në ndeshjen e dytë, ndërsa Shqipëria kishte fituar 4-1 ndeshjen e parë ndaj San Marinos. Por sot, ndaj Bullgarisë vendase, kuqezinjtë kanë bërë gjithçka mirë duke fituar po me shifrat 4-1.

Një sukses i startuar që në sekondat e para kur kapiteni Halimi gjeti rrjetën pa u mbyllur minuta e parë të ndeshjes. Me pas ishin Karaja dhe Selmanaj që çuan shifrat në 3-0 për Shqipërinë para se Stankoviç t’u jepte pak shpresë vendasve.

Megjithatë, në fund goli i radhës i kapitenit Halimi vulosi suksesin 4-1 dhe vendin e parë në grup, falë dhe triumfit të San Marinos ndaj Andorrës.

Kështu, Shqipëria kalon në turin eliminator, ndërsa emrat e kundërshtarëve atje do t’i mësojë vetëm në shortin që do të hidhet në muajin maj. /vipsport/