Fjoart Jonuzi është kthyer në këto dy vite një nga elementët më të rëndësishëm të Vllaznisë që u kthye në pretendente për titull. Mesfushori ka treguar pas fitores ndaj Skënderbeut për “SuperSport” se si shkodranët po arrijnë përsëri të kthehen në atë skuadrën që kënaqi gjithë tifozët në sezonin e kaluar, pas një starti jo aq të mirë të sezonit.
“Krymin gjithë këto ndeshje e kam pasur në krah dhe jam marrë mirë vesh me të, se kemi luajtur edhe vitin e kaluar. Por edhe Heriç sot tregoi që është i gatshëm për të luajtur dhe jam i kënaqur që shkuam mirë me të e morëm pikë të rëndësishme.
Skënderbeun në këto ndeshjet e fundit e respektoj shumë si ekip se janë rritur goxha, janë shumë solid në mbrojtje, dalin shpejt me sulmuesit. Ndaj duhej të kishim kujdes dhe u tërhoqëm pak, por mendoj se janë pikë shumë të rëndësishme me Skënderbeun dhe të shohim përpara.
Të gjithë kanë thënë dhe e them edhe unë se këtë vit kemi më shumë cilësi se vjet, por më parë ishim më shumë grup. Pastaj vitin e kaluar kishim më shumë kohë në fillim për t’u përgatitur se u shty fillimi i kampionatit, ndërsa tani në ndeshjet e fundit grupi po shkrihet me lojtarët e rinj.
Cilësia të jep garanci për vazhdimësinë, por lojtarët e rinj duhet kohë të ambientohen. Kur ke cilësi në skuadër të jep besim për vazhdimësinë, padyshim”, tha Jonuzi.







