Tuesday, March 10, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREFlamurtari, 'makthi' i Vllaznisë në këtë sezon. I ka marrë plot 6...

Flamurtari, ‘makthi’ i Vllaznisë në këtë sezon. I ka marrë plot 6 pikë shkodranëve

Në sezonin 2025-26 të Kategoria Superiore, Vllaznia po zhvillon një edicion mjaft pozitiv, duke qëndruar në krye të renditjes dhe duke u konfirmuar si një nga pretendentët kryesorë për titull.

Skuadra kuqeblu ka treguar stabilitet dhe forcë në shumë përballje direkte me rivalët e saj, duke marrë rezultate të rëndësishme që e kanë mbajtur në majën e kampionatit. Megjithatë, pavarësisht këtij dominimi në përgjithësi, statistikat e këtij sezoni zbulojnë edhe një “pengesë” të papritur për shkodranët.

Kjo pengesë ka një emër të qartë, Flamurtari. Skuadra vlonjate është kthyer në një kundërshtar të vështirë për Vllazninë gjatë këtij edicioni, një fakt që u konfirmua edhe të dielën në kuadër të javës së 27-të të kampionatit. Në përballjen e fundit mes dy skuadrave, kuqezinjtë arritën të triumfonin minimalisht me rezultatin 1-0, duke marrë një tjetër fitore të rëndësishme përballë kryesuesve të kampionatit. Ky sukses i vlonjatëve nuk është një episod i izoluar.

Pas përfundimit të tre fazave të para të kampionatit, Flamurtari rezulton skuadra që i ka marrë më shumë pikë Vllaznisë. Nga nëntë pikë të mundshme në tre përballje, vlonjatët kanë siguruar plot gjashtë, falë dy fitoreve minimale 1-0, njëra në fazën e parë të edicionit dhe tjetra në sfidën e fundit të luajtur. Një statistikë që bie në sy dhe që tregon se Flamurtari ka ditur të shfrytëzojë maksimalisht përballjet me kryesuesit. Disi paradoksale mbetet kjo panoramë për skuadrën e drejtuar nga trajneri Edi Martini.

Vllaznia ka arritur të dominojë përballjet direkte me disa nga ekipet më të forta të kampionatit, duke marrë rezultate pozitive ndaj rivalëve të drejtpërdrejtë për titull si Egnatia, Elbasani apo edhe Dinamo. Pikërisht këto rezultate kanë ndihmuar kuqeblutë të mbajnë ritmin e kreut dhe të konfirmohen si një skuadër solide në sfidat e mëdha. Nga ana tjetër, vështirësitë kanë ardhur pikërisht në përballjet me skuadrat që luftojnë për mbijetesë në elitën e futbollit shqiptar.

Përveç Flamurtarit, Vllaznia ka hasur probleme edhe ndaj ekipeve si Bylisi, duke lënë pikë të rëndësishme në ndeshje ku në letër konsiderohej favorite. Një paradoks që shpesh ndodh në futboll, ku skuadrat e mëdha arrijnë të motivohen maksimalisht ndaj rivalëve direktë, por hasin më shumë vështirësi përballë kundërshtarëve që luftojnë për mbijetesë dhe që hyjnë në fushë me një motivim të jashtëzakonshëm.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments