Ndeshja e nesërme Vllaznia-Tirana është tema e momentit në këtë fundjavë të 30-të të Abissnet Superiore. “Klasikja” e futbollit shqiptar vjen në një moment të rëndësishëm për kampionatin shqiptar, ku gara e titullit kampion mund të rihapet, por edhe mund të mbyllet.

Rezultati i saj mund të vendosë shumë gjëra dhe pikërisht për këtë arsye, vëmendja është e përqëndruar vetëm në këtë “Klasike” të futbollit shqiptar. Megjithatë, kush është favorit për ndeshjen e nesërme?

Një pyetje që për momentin nuk mund t’i japë askush përgjigje, por ne kemi të drejtë të parashikojmë. Të shohim kush ka më shumë avantazhe dhe disavantazhe, kush ka futbollistët në në formë dhe a do të vendosin dy trajnerët Goçe Sedloski dhe Orges Shehi në këtë ndeshje apo jo.

Pikërisht për këto arsye, gazeta “Shkodra Sport” ka vendosur të bisedojë me një panel gazetarësh nga më të njohurit në Shqipëri, për të marrë prej tyre përgjigjet e pyetjeve të ndryshme. Kështu, e vijojmë këtë rubrikë me komentatorin dhe gazetarin e mirënjohur të SuperSport në platformën Digitalb, Ylli Aga. Më poshtë, keni mundësi të lexoni intervistën e tij dhënë për gazetën tonë gazetarit Maringlen Zhivani.

-Ylli, si e shikoni ndeshjen Klasike të ditës së nesërme Vllaznia-Tirana dhe si e gjykoni një duel të tillë në këtë moment?

Derbi i Shqipërisë dikton emocion dhe pritshmëri maksimale në çdo rast. Historia e kësaj përballje na e imponon diçka të tillë, nga dueli i parë më 6 prill 1930 dhe deri tek sfida e rradhës. Eshtë ndeshja më e luajtur në historinë e futbollit shqiptar, që në total numëron 224-ndeshje, me një bilanc më pozitiv për kryeqytetasit, por ndër vite, dekada apo sisteme shoqërore në më shumë se një shekull në vendin tonë, derbi Vllaznia-Tirana ka qenë bashkëshoqëruesja më e mirë e brezave. Në këtë këndvështrim, pritshëmritë për duelin e rradhës do të duhet të jenë maksimale, edhe pse në planin pragmatist dhe të objektivave sezonal, Tirana duhet të jetë më e favorizuar, por fusha gjithmonë rezervon surpriza.


-Cili nga të dy ekipet mendoni se mund të kishte mundësi për të bërë më mirë këtë sezon?

Në fakt, duke marrë në konsideratë trajektoren e rezultateve dhe të lojërave të zhvilluara, Tirana ka treguar më shumë stabilitet dhe është me meritë në atë pozicion në renditje, sepse i ka marrë maksimumin grupit të futbollistëve. Ka patur meritën se ia ka dalë të ruajë këtë status, pavarësisht largimeve të rëndësishme nga skuadra e edicionit të kaluar si Seferi, Totre apo Xhixha dhe ka ditur të reagojë pozitivisht pas çdo rezultati negativ apo situate të vështirë. Ndërkohë, pritshmëritë për Vllazninë i kam patur shumë më të mëdha në fillimin e sezonit, sepse vinte me moralin e lartë të trofeut të Kupës, ruajtjes së pothuajse të gjithë grupit të futbollistëve të sezonit të kaluar, pasjes në stol të trajnerit me më shumë trofe në historinë e futbollit shqiptar si Mirel Josa, si edhe disa afrimeve të goditura si Mala, Marku, Boshnjaku apo Balaj. Megjithatë, të gjitha këto nuk kanë mjaftuar.

Skuadra nuk arriti të krijonte kiminë e duhur. Dëmtimet e kanë penalizuar në mënyrë të vazhdueshme dhe nuk arriti të kishte asnjë profil të qartë loje dhe vazhdimësi në rezultate. Për investimin e bërë dhe individualitetet në skuadër, do të duhej të rivalizonte për titullin kampion, që në këtë moment shanset i ka matematike dhe për mua u bënë pothuajse zero, pas humbjes në shtëpi me Kastriotin. Gjithsesi, nëse ia del të sigurojë një biletë për Europën nga kampionati dhe të fitojë sërish Kupën, sezoni duhet të konsiderohet pozitiv.


-Ylli, besoj se përveç futbollistëve në fushë, do të jetë edhe një duel trajnerësh mes Goçe Sedloskit dhe Orges Shehit, sa i vlerësoni të dy këta trajnerë dhe cili mendoni se mund të rezultojë më vendimtar me lëvizjet e tij?

Goçe Sedloski është një emër i vlerësuar në futbollin e Maqedonisë së Veriut. Arritjet me Vardar dhe Shkupin janë konfirmimi më i mirë, por Shehi në këtë moment ka avantazhin e njohjes në detaje të kampionatit, skuadrave dhe individëve. E sigurtë që do të kenë rolin e tyre në këtë ndeshje, por më shumë se strategjive të tyre, besoj se do të jenë futbollistët me impenjimin dhe cilesitë e tyre që do të jenë një rol më deçiziv.

-Rezultatet negative të javëve të fundit e kanë nxjerrë nga pretendimet për titull Vllazninë, ndikon ndopak kjo për këtë ndeshje?

Për pozicionet që kanë në tabelën e renditjes, besoj se skuadra më në presion është Vllaznia, sepse prej saj, siç e përmenda pritej të ishte pretendente kryesore për titullin kampion, ndërsa tani, nëse nuk i administron dhe interpreton siç duhet ndeshjet e mbetura, mund të vendosë në diskutim edhe pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Megjithatë, eksperienca e grupit të futbollistëve, rikuperimi i pothuajse të gjithë futbollistëve janë armët më të forta të Vllaznisë për të zgjidhur këtë situate dhe ku më mirë se në derbin me Tiranën është mundësia për t’i shpalosur ato.

Kam një keqardhje në raport me pritshmëritë për këtë Vllazni, sepse qysh në fillim kam besuar se mund të ishte sezoni i duhur për t’u rikthyer tek titulli kampion që mungon nga 2001. Megjithatë, në ndryshim nga ajo skuadër, që ishte plotësisht e bashkuar dhe në lartësinë e emrit “Vllazni”, me një grup futbollistësh cilësor dhe të sakrificës, mbështetjes pa rezerva nga presidenti Myftar Çela dhe e rrethuar në çdo ndeshje në shtëpi, por edhe larg saj nga një numër rekord tifozësh, në sezonin aktual përjashtuar projektin dhe financimin e presidentit Alban Xhaferi, nuk kam dalluar sakrificë dhe harmoni nga disa futbollistë, si edhe mbështetja e tifozerisë, për arsye që mund të jenë me shumicë, nuk ka qenë e njëjtë si 22 vite më parë. Në çdo rast më duket e pakuptimtë, qofsha i gabuar, që mbështetja për fenomenin Luiz në BBV në qytetin e Shkodrës, të jetë shumëfish më e madhe se prezenca në stadium kur luan Vllaznia.

-Mendoni që një fitore ndaj Tiranës, e afron më shumë Vllazninë pranë titullit kampion apo është çështje e mbyllur pjesa e kreut për kuqeblutë?

Matematika e mban në lojë Vllazninë edhe për këtë objektiv madhor, por në një kampionat si i këtij edicioni, ku shkodranët kanë një mesatare më të ulët se 1.5-pikë për ndeshje, rikuperimi i 11-pikëve që e ndajnë me Tiranën, më ngjan me një mision të pamundur. Megjithatë, në futboll dhe veçanërisht llogjika e kampionatit, dikton që secila skuadër të luajë çdonjërën nga ndeshjet si një finale, me synimin për të fituar secilën prej tyre dhe vetëm në sinjalizimin final të ndajë llogaritë me të tjerat. Në këtë pikë, sipas meje duke e parë garën në projeksion të asaj që mund të ndodhë, avantazhi i vetëm i Vllaznisë është kalendari më i përshtatshëm se rivalet e saj të kreut.


-E fundit Ylli, kush mund ta fitojë ndeshjen dhe kush mund të rezultojë ndoshta më vendimtar në këtë Klasike të fundit të këtij sezoni?

Në një kampionat të stërkonfirmuar me diferenca minimale mes ekipeve konkurrente, ku treguesi më kokëfortë për një kompeticon me këtë formulë janë shifrat, sipas të cilave kemi ekipin kryesues me më pak pikë, pas javës së 29, si edhe ekipin e vendit të fundit me më shumë pikë. Një garë që numëron deri tani 42 barazime dhe afro 80 ndeshje me fitore me një gol diferencë. Me këtë “fotografim”, para çdo ndeshje rezultati më i parashikueshëm është barazimi, por për fat futbolli është një lojë që rezervon gjithmonë surpriza, të cilat janë në çdo rast të mirëpritura, vecanërisht nëse janë në sinkron me historinë e shumicës absolute të ndeshjeve të luajtura në derbin e Shqipërisë, në raport me spektaklin dhe fair play-in.
Maringlen ZHIVANI